Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur në selinë blu. Në nisje të kësaj mbledhje, kryetari i PD-së, Sali Berisha është shprehur se sipas tij, Kryeministri “Edi Rama ka përbaltur pas Enver Hoxhës më shumë se kushdo tjetër emrin e shqiptarit dhe Shqipërisë para kombit amerikane” referuar dosjes “McGonigal”.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati thotë se Kryeministri “Rama është sjellë ndaj SHBA sikur të ishin një vend armik dhe jo kontributori kryesor në historinë e lirisë së kombit shqiptar”.
Sali Berisha: Mblidhemi në një kohë kritike në shumë aspekte, regjimi i kalbur i Edi Ramës është sot regjimi më i diskredituar pas Koresë së Veriut, Carit dhe Lukashenkos. Edi Rama, siç dëshmojnë dokumentet e pakundërshtueshme, është sjellë ndaj SHBA sikur të ishin një vend armik dhe jo kontributori kryesor në historinë e lirisë së kombit shqiptar. Dhe jo udhëheqësi i botës së lirë, i aleancës së Atlantikut të Veriut, vendi kryesor përgjegjës për paqen dhe sigurinë e vendeve të lira.
Akti i Edi Ramës është një thikë e tmerrshme pas shpine që ky njeri, i cili nuk ka nder, nuk ka komb, nuk ka atdhe, nuk ka flamur, nuk ka dinjitet, ka bërë ndaj kombit amerikan, SHBA, qeverisë së SHBA, por edhe më gjerë. Edi Rama ka përbaltur pas Enver Hoxhës, më shumë se kushdo tjetër, emrin e shqiptarit dhe Shqipërisë, para kombit amerikan, para qeverisë së SHBA dhe Kongresit të këtij vendi dhe institucioneve të tjera të këtij vendi. Edi Rama, e vërteta thashë edhe njëherë, është sjellë me aktin e tij, siç sillet armiqtë ndaj njëri-tjetrit.
Kryedemokrati Berisha është shprehur se Kryeministri Edi Rama në këtë mënyrë ka lënduar çdo shqiptar që ka virtyt të palëkundur moral të tij.
Kryedemokrati Berisha ka thënë se Rama po ashtu sipas tij ka lëndruar shqiptaro-amerikanët teksa shton se ndoshta pë rata është java më e vështirë e tyre pas diktaturës.
Sali Berisha: Në këtë mënyrë, ai ka lënduar çdo shqiptar, i cili ka mirënjohje si virtyt të palëkundur moral të tij. Ka lënduar në mënyrë të tmerrshme shqiptaro-amerikanët, të cilët që nga viti 1910 e gjer më sot, në mënyrë të pareshtur, trokasin në dyert e ligjvënësve të tyre, kongresmenëve dhe senatorëve, në dyert e institucioneve të SHBA e gjer në derën e madhe të Shtëpisë së Madhe për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje për Shqipërinë dhe Kosovën. Për ata, kjo është ndoshta, pas diktaturës, java më e vështirë e tyre, para qytetarëve, miqve të tyre amerikanë, para ligjvënësve, para zyrtarëve, para të gjithëve./tvklan.al