Policia zbërthen rrjetin e falsifikimit të pasaportave
Dokumente të huaja false shiten në rrjetet sociale. I tillë është rasti i një profili në TikTok, përdoruesi i të cilit u arrestua nga policia. Ai është Mariglen Hoti banues në Kamëz, por aktivitetin nuk e kryente i vetëm.
Rasti i falsifikimit të dokumenteve të identifikimit, u zbulua pas arrestimit të një çifti shqiptar në aeroportin e Hanoverit në Gjermani. Ata tentuan të udhëtojnë drejt Londrës duke përdorur dokumente greke false. Pasaportat përmbanin një përzierje të filigranteve S të dyfishtë dhe gjysmëhënë, si dhe një çip të lexueshëm.
Dokumentet ishin blerë në Shqipëri nga një i afërm i çiftit nëpërmjet rrjetit TikTok. Lidhur me këtë rast u njoftuan autoritetet shqiptare. Këta të fundit nëpërmjet blerjeve të simuluara dhe vëzhgimeve zbuluan të gjithë mekanizmin.
Mariglen Hoti pasi merrte porositë, i dërgonte në një laborator në Kosovë ku dhe kryheshin falsifikimet. Këto dokumente më pas dërgoheshin në destinacion nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre që kamuflonin këtë veprimtari duke u marrë me transportin e udhëtarëve nga Kosova në Shqipëri dhe më gjerë.
Në rolin e transportuesve të dokumenteve false u arrestuan Ilir dhe Shkëlqim Hoxha. Një pasaportë false shitej kryesisht në shumën e 1500 eurove.
Policia dhe prokuroria në Tiranë kanë dërguar gjithë informacionin e grumbulluar në Kosovë, për të zbuluar bazën ku prodhohen dokumentet e falsifikuara të cilat përdoren për kalimin në shtete të ndryshme.
Klan News