Sahar Abasi, një vajzë nga Irani e cila jeton prej 11 vitesh në Shqipëri, iu bashkua programit “Aldo Morning Show” në Tv Klan për të ndarë eksperiencën e saj në vendin tonë. Nga prezantimi përpara se ajo të mbërrinte në studion lëvizëse, moderatori Aldon Lipe shpjegoi se nëna e Sahar është iraniane ndërsa babai arab.
Sahar ka lindur në Teheran, ka jetuar në Kuvajt dhe është martuar me një iranian. Sapo përshëndetet, ajo nis të rrëfejë përshtypjet e saj për Shqipërinë dhe si ka ndryshuar vendi përgjatë viteve.
Sahar Abasi: Është shumë e bukur. Para 11 vitesh, nuk ishte aq e rregulluar, tani është rregulluar më mirë. Shumë më ndryshe.
Sahar kujton impaktin e 11 viteve më parë kur sapo erdhi në Shqipëri.
Sahar Abasi: Nuk kam thënë ç’është ky vend, por normalisht se erdha nga jashtë dhe gjithçka ishte e re. Gjuha në fillim ishte shumë e vështirë për mua, por avash-avash në komunikim me njerëzit, kam shumë shoqëri dhe mësova edhe shqipen.
Biznesi i bashkëshortit është arsyeja që familja e Sahar gjendet këtu prej 11 vitesh.
Sahar Abasi: Në fakt unë erdha për shkak të bashkëshortit tim. Ai hapi biznesin e vet dhe kam ardhur edhe me fëmijën se kam një vajzë 11 vjeçe, pse jo, ta provojmë edhe në Shqipëri.
Sahar thotë se vitet e para ishin të vështira për t’u përshtatur.
Sahar Abasi: Të them të vërtetën, në fillim fare ishte e vështirë. Shqiptarët janë shumë të dashur, shumë miqësorë me mua, kam shumë shoqëri të mira, por normalisht është vend i huaj për ty, për mua. Është vend i huaj, por derisa të përshtatesh duhen 3-4 vite në fillim, pastaj mësohesh.
Një tjetër nga vështirësitë e përshtatjes ishte edhe gjuha, të cilën e ka mësuar fillimisht përmes këngëve.
Sahar Abasi: Disa fjalë kanë shumë kuptime. Kanë shumë, për shembull një fjalë ka shumë kuptime të ndryshme dhe unë ndonjëherë gaboj.
Në fillim fare, të them të drejtën nuk kam folur fare se nuk e kam vrarë veshin, zero. Avash-avash kur dëgjoja muzikë shqiptare në lokal, jashtë pastaj kur u mësua veshi fillova të flas edhe unë. Edhe në qoftë se kam qenë gabim, prapë kam folur.
Planet për largim nuk janë ende alternativë për Sahar.
Sahar Abasi: Për momentin nuk kam plan për t’u larguar se kam gocën dhe dua ta shoh në të ardhmen Nurën, normalisht derisa të rritet pak më shumë./tvklan.al