Artistja e njohur, Shkurte Fejza, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, i ka ftuar qytetarët që më 9 shkurt ta mbështesin djalin e saj, Arbër Behlulin, si kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Shkurte Fejza dhe Hajrush Behluli thonë se Arbëri do të përfaqësojë me dinjitet zërin e qytetarëve, idealet e lirisë dhe përkushtimin ndaj një Kosove më të mirë për të gjithë.
“Sot po ju shkruajmë me emocion të veçantë, duke ndarë me ju një vendim të rëndësishëm për familjen tonë. Djali ynë Arbëri, frymëzuar nga përkushtimi i brezave të mëparshëm, ka vendosur të kontribuojë për Kosovën përmes politikës. Ai po garon si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky është një vendim i tij, i marrë me bindjen e thellë se mund të shërbejë për të mirën e vendit dhe të qytetarëve. Ne dëshirojmë t’ju sigurojmë se, pavarësisht bindjeve politike, lidhja jonë me ju mbetet e pandryshuar. Ne nuk ndahemi nga dashuria për popullin tonë, nga përkushtimi për idealet e Kosovës së lirë dhe demokratike.”
Deklarata e plotë:
E dashur Kosovë, qytetarët tanë dhe bashkëkombës të dashur,
Për më shumë se 50 vjet, kemi qenë pranë jush me këngën dhe fjalën e zemrës, duke u përpjekur të mbajmë gjallë shpresën, idealet dhe dashurinë për vendin tonë. Të gjitha këngët tona, nga ato që frymëzuan demonstratat e vitit 1981 deri te ato që mbështetën luftën çlirimtare, janë krijuar me një qëllim: të qëndrojmë bashkë në ëndrrën për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Sot po ju shkruajmë me emocion të veçantë, duke ndarë me ju një vendim të rëndësishëm për familjen tonë. Djali ynë Arbëri, frymëzuar nga përkushtimi i brezave të mëparshëm, ka vendosur të kontribuojë për Kosovën përmes politikës. Ai po garon si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky është një vendim i tij, i marrë me bindjen e thellë se mund të shërbejë për të mirën e vendit dhe të qytetarëve.
Ne dëshirojmë t’ju sigurojmë se, pavarësisht bindjeve politike, lidhja jonë me ju mbetet e pandryshuar. Ne nuk ndahemi nga dashuria për popullin tonë, nga përkushtimi për idealet e Kosovës së lirë dhe demokratike.
Ky është një hap i ri për familjen tonë, por nuk është një largim nga vlerat që na kanë mbajtur bashkë për kaq shumë vite. Kjo është arsyeja pse ju lutemi ta shihni këtë moment si një mundësi për të forcuar atë që na bashkon, jo për të thelluar dallimet. Ne respektojmë çdo bindje politike dhe të gjithë ata që punojnë me sinqeritet për të ardhmen e vendit tonë.
Ju ftojmë që më 9 shkurt ta mbështesni djalin tonë, me besimin se ai do të përfaqësojë me dinjitet zërin e qytetarëve, idealet e lirisë dhe përkushtimin ndaj një Kosove më të mirë për të gjithë.
Me dashuri dhe respekt,
Shkurte Fejza dhe Hajrush Behluli