Ditën e fejesës shkoi në burgun e Hagës për të marrë bekimin e babait të saj, Jakup Krasniqit, Gresa: Më uroi lumturi shumë

“Në jetët tona mbase padrejtësitë mund të jenë të mëdha, por festat bashkë do t’i bëjmë”, ishte ky premtimi i mbajtur i Gresë Krasniqit për babain e tij, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Gresa dhe Sadiku e kanë çuar në Hagë ceremoninë e tyre të fejesës ndërsa premton se në të mirë e në të keq do të jenë gjithmonë bashkë.

E ftuar në emsionin “Opinion” në Tv Klan, Gresë Krasniqi tregon më shumë detaje rreth vizitës që i bëri babait të saj, Jakup Krasniqit në Hagë në dhomat e paraburgimit ditën e fejesës së saj për të marrë bekimin e të atit.

Gresë Krasniqi: Në vizitën e parafundit i thashë “babi, fejesën kemi qejf ta bëjmë para teje, këtu”. Ai më tha se do të kisha qejf që ti ta bëje më mirë. Unë i thashë që më mirë për mua nuk ka. Unë jam e bekuar që megjithëse në këto rrethana, fejesën ta bëj para teje. Një javë para fejesës, babi dhe axhi Kadri dolën pozitivë me Covid dhe nuk e dinim se a do të realizohej apo jo. Mami më tha që sido që të bëhet, fejesën shpalle. I thashë që kam pritur deri tani, do të pres aq sa të jetë nevoja, por babi do të jetë personi i parë që do të ma urojë fejesën dhe ashtu u bë. Dhe shkuam e bëmë fejesën në dhomat e paraburgimit në Hagë.

Blendi Fevziu: A ishte i emocionuar babi?

Gresë Krasniqi: Shumë. Unë jam fëmija i parë i tij, besoj se emocionet me mua kanë qenë pak më të veçanta. Më uroi lumturi shumë. Babi asnjëherë nuk na ka imponuar mendimet e tij dhe gjithmonë primare e ka pasur lumturinë tonë dhe zgjdhjet që ne kemi bërë, na uroi vetëm lumturi dhe të trashëgohemi.

Kujtojmë se ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi nuk i ka pranuar në asnjë moment akuzat e ngritura ndaj tij për krime lufte.

Jakup Krasniqi është një prej figurave emblematike të historisë së Kosovës, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një prej atyre njerëzve që vuri jetën e tij në rrezik për të shpëtuar ose për të sakrifkur për të gjithë Kosovën. Më pas, kryetar i Parlamentit të Kosovës, firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Kosovës.

Krasniqi së bashku me 3 përfaqësues të tjetër të nivele të larta, ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Deputetin Rexhep Selimi, ndodhen në dhomat e paraburgimit në Hagë. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share