Behgjet Pacolli ka kujtuar kohën kur gjendja financiare e familjes së tij ishte tepër e vështirë.
Me anë të një fotografi në Facebook, e realizuar nga periudha kur ishte student në Prishtinë, ai kujtoi si e hante bukën e njëjtë nga e hëna në të premte, njofton Klankosova.tv.
“Kjo fotografi është nga periudha kur isha student në Prishtinë. Veshmbathja ime tregon më së miri gjendjen e vështirë financiare timen. Shpesh herë më vinte zor të nxirrja edhe bukën në prani të nxënësve të tjerë, pasi që unë e merrja me vete të hënën, ndërsa kthehesha nga Mareci, dhe atë bukë e kisha për tërë javën”, thotë Pacolli.
Ai tutje thotë se nuk kishte para me vete për të blerë bukë tjetër, dhe se rrugën për në Marec e ka bërë në këmbë, shpesh dy herë në javë.
“Deri të mërkuren ose të enjten, ajo bukë hahej disi, por pastaj mykej dhe bëhej e papërdorshme. Ditë tjera të javës duhej disi ti kaloja, për të blerë bukë tjetër nuk ishte mundësia sepse nuk kisha asnjë qindarkë me vete, zgjidhja e vetme ishte të merrja rrugën këmbë për në Marec, shpesh më ndodhke dy herë në javë”, thotë tutje kreu i AKR-së.
Prandaj, siç shkruan Pacolli, Fondacioni i tij vazhdon çdo muaj të japë bursa për shumë studentë të rinj, ndihmë për të sëmurët jashtë vendit dhe në fusha të tjera, pa kamera ose shfaqje.
“Qysh nga ajo kohë kam kuptuar se ndihma ndaj dikujt në nevojë nuk ju bën më të varfër. Për mua, kjo është një çështje e natyrshme. Andaj Fondacioni im vazhdon çdo muaj të jap bursa për shumë studentë të rinj, ndihmë për të sëmurët jashtë vendit dhe në fusha të tjera, pa kamera ose shfaqje. Kjo është çfarë e bën zemrën time të lehtë”, ka shkruar Pacolli.