Dialogu Kosovë-Serbi | Reagime nga RMV-ja

Marrëveshja duhet të përmbushet me përgjegjësi

‘Treguan guxim dhe vizion, dialog që tejkalon dimensionin bilateral, marrëveshje që do të sjellë paqe’,  kështu e cilësojnë marrëveshjen e mbrëmshme me dialogun Kosovë – Serbi politikanë nga RMV-ja.  Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski me një postim në rrjetet sociale, ka përshëndetur këtë marrëveshje.

“Përshëndes marrëveshjen e arritur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, nën kujdesin e BE-së”, deklaroi Stevo Pendarovski, President i RMV-së.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas përfundimit të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka përgëzuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për guximin dhe vizionin e treguar dhe u uroi përparim të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës në rrugën drejt BE-së.

“Besoj se marrëveshja e sotme për zbatimin e Aneksit të Marrëveshjes, përfshirë marrëveshjen për zbatimin e plotë të obligimeve nga marrëveshjet e mëparshme nga Dialogu është një arritje e rëndësishme”, deklaroi Kovaçevski.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në rrjetin social Facebook shkruan se palët shprehën dakordësinë e shumëpritur publike për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, ky është lajm i madh dhe i shumëpritur që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

“Ditën e filluar me shumë optimizëm në Ohër, po e përmbyllim me hapa të reja të arritjes së marrëveshjes së favorshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.Ky dialog tejkalon dimensionin bilateral, mbarëvajtja e suksesshme e tij me epilog njohjen e ndërsjelltë determinon orientimin europian të rajonit dhe rrumbullakëson shtetësinë e plotë të Kosovës”, ka thënë Ali Ahmeti.

Ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari i cili e ka cilësuar si një marveshje e cila duhet të sjell paqe, por dhe kujton se duhet të permbushet me përgjegjsi.

“Si shqiptar por mbi të gjitha si një qytetar i botës, jam i gëzuar që Kosova dhe Serbia arritën të merren vesh. Qoftë kjo Marrëveshje vetëm fillimi i një rruge paqeje dhe përgjegjësie, sepse pa përgjegjësi nuk ka Paqe!”, thekson Taravari.

Marrëveshja është përshëndetur edhe nga  përfaqësues  të partive të ndryshme në vend. Përndryshe, takimi trepalësh është zhvilluar në vilën presidenciale në Ohër./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share