Dhjetra foshnje në rrezik për jetën në Gaza

OBSH ka deklaruar se spitali ka dalë jashtë funksionit, SHBA sulmon milicit e lidhura me Iranin dhe Sirinë

Mijëra njerëz kanë ikur nga spitali më i madh i Gazës ndërsa forcat izraelite dhe militantët palestinezë luftojnë jashtë portave të tij.

Qindra pacientë, duke përfshirë 39 foshnja që ndodhen nën kujdesin intensiv rrezikojnë të humbasin jetën për shkak të mungesës të energjisë elektrike. Brenda spitalit, asnjë nga sallat e operacionit nuk funksionon.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se spitali Al-Shifa në qytetin e Gazës nuk po funksionon më si spital pasi bombardimet e vazhdueshme në zonë kanë përkeqësuar rrethanat. Jo vetëm kaq por edhe rrugët e evakuimit të pacientëve janë bërë të rrezikshme për shkak të sulmeve.

Ndërsa Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se spitali Al-Quds është gjithashtu jashtë shërbimit.

Drejtori i Departamentit të Emergjencave në Ministrinë Palestineze të Shëndetësisë me bazë në Gaza, Muhammad Kandil ka kërkuar menjëherë evakuuimin e civilëve ndërsa i bëri thirrje qeverisë së Egjiptit që të dërgojë ambulanca.

“Rreth 600 pacientë të plagosur civilë duhet të evakuohen. Pra, kjo është një thirrje për qeverinë e Egjiptit që të dërgojë ambulanca drejt spitalit Al Shifa që këta të plagosur  të mund të evakuohen në mënyrë të sigurt. Pra, ekipet tona janë duke u përballur me vdekje masive, gjë që nuk ka ndodhur askund tjetër në botë më parë. Kështu që kërkesat themelore si karburanti, furnizimi mjekësor, hyrja dhe dalja e sigurt kërkohen urgjentisht.”

Izraeli vijon që të deklarojë se Hamasi ka një qendër komandimi nën spitalin Al-Shifa,  gjë që militantët e mohojnë. Ushtria izraelite  tha gjithashtu se kishte vendosur 300 litra karburant pranë spitalit për gjeneratorët, por militantët e Hamasit nuk kane lejuar furnizimin.

Operacioni  tokësor në Rripin e Gazës, ku fokusi kryesor është shkatërrimi i infrastrukturës dhe i tuneleve të Hamasit, po çon në eksode masive. Qindra e mijëra të zhvendosur dhe të plagosur palestinezë u duhet të ecin për disa orë nga veriu në jug, ku Izraeli thotë se është i sigurt. Ndërkaq një sulm ajror izraelit pranë Khan Younis në Gazën jugore vrau të paktën shtatë persona.

Shqetësimet janë rritur pasi lufta mund të përhapet përtej Gazës, me një rritje të përleshjeve në kufirin verior të Izraelit me Libanin dhe Shtetet e Bashkuara që kanë nisur sulme ajrore ndaj objektivave të milicisë të lidhura me Iranin në Sirinë fqinje ku të paktën tetë luftëtarë pro-iranianë janë vrarë. Për herë të tretë në më pak se tre javë, ushtria amerikane ka shënjestruar lokacione në Siri për të cilat ka thënë se janë të lidhura me Iranin.

Gjithashtu konfliktet në Bregun Perëndimor vijojnë të jenë në rritje. Ushtria izraelite ka kryer të paktën 14 bastisje gjatë natës në Jenin, pranë Nablus dhe Jeriko ku humbi jetën një person. 187 palestinezë janë vrarë që nga 7 Tetori dhe më shumë se 2500 janë arrestuar. Bashkimi Evropian ka dënuar luftimet rreth spitaleve. 27 vendet e BE-së lëshuan një deklaratë të përbashkët duke kërkuar “pauza të menjëhershme humanitare” dhe duke dënuar Hamasin për përdorimin e objekteve mjekësore dhe civilët si “mburoja njerëzore”.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share