Dhjetëra të zhdukur nga tërmeti që la 137 të vdekur në Kinë

Dhjetëra njerëz vazhdojnë të jenë të zhdukur pas tërmetit 6.2 ballësh, i cili e goditi provincën veriperëndimore të Kinës Gansu, të hënën vonë, raportuan mediet lokale të enjten.

Mediet kineze raportuan se kërkimet për të mbijetuar dhe viktima në Gansu përfunduan të martën në orën 15:00 me kohë lokale, rreth 15 orë pasi tërmeti e kishte goditur vendin e largët bjeshkor.

Tërmeti goditi edhe provincën Qinghai, ku nuk është e qartë nëse ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar.

Në Gansu, 115 njerëz u gjetën të vdekur deri të mërkurën në mëngjes dhe 784 të tjerë u lënduan, sipas autoriteteve. Gansu nuk ka raportuar për njerëz të zhdukur.

Në Qinghai, 22 njerëz humbën jetën nga tërmeti, ndërsa 198 u lënduan. Rreth 12 persona u raportuan të zhdukur të mërkurën pasdite.

Më shumë se 207.000 shtëpi u dëmtuan dhe gati 15.000 u shembën në Gansu, duke i prekur më shumë se 145.000 banorë.

Përdoruesit e rrjeteve sociale në Kinë ngritën shumë pikëpyetje rreth përfundimit të shpejtë të kërkimeve në Gansu. Shumë prej tyre sugjeruan se temperaturat e ulëta ishin arsyeja kryesore e përfundimit të shpejtë të kërkimeve për të mbijetuar.

Njerëzit e ngecur nën rrënoja janë të ekspozuar ndaj temperaturave -10 grandë dhe si pasojë rrezikojnë të përballen me hipotermi, dhe mund të mos jenë në gjendje të jetojnë më shumë se 10 orë, edhe nëse nuk janë të lënduar, sipas medieve lokale.

“Ata do të kishin vdekur deri të ishin gjetur, madje 24 orë është kohë shumë e gjatë. Temperaturat jashtë janë minus 10 gradë”, tha një përdorues i platformës Weibo.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share