Dhëndri i ish-presidentit Trump, projekt për Sazanin

Synohet transformimi i ishullit në një resort luksoz

Bukuritë e bregdetit shqiptar të jugut kanë tërhequr edhe vëmendjen e kompanisë se Jared Kushner, dhëndër dhe ish-këshilltar i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Sipas një artikulli të publikuar nga Bloomberg, kompania e tij Affinity Partners, me bazë në Miami po planifikon të transformojë ishullin e Sazanit përmes ndërtimit të disa vilave e resorteve turistike, zonë e cila ka shërbyer vetëm si bazë ushtarake.

“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë kudo në botë. Kompania po planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, që më parë ishte shtëpia e një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman”, tha Kushner.

Ky fakt është konfirmuar për televizionin Klan edhe nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila tha se kompania e zotit Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve.

“Lajmi i mirë është që tanimë turizmi ka hyrë në sektorët e interesit të investitorëve të huaj, jo vetëm të shqiptarëve. Por sipas ligjit, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime, por gjithsesi, deri sot, një projekt i tillë nuk ka ardhur ende në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit. Edhe më parë ka patur interesime e kërkesa për zhvillim turistik në ishullin e Sazanit, çka padiskutim përkon në parim me ambicien tonë për ta kthyer ishullin në një xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar, por i kemi refuzuar, sepse objektivat zhvillimore të të interesuarve nuk i kemi konsideruar në përputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën, ekuilibër i domosdoshëm për Shqipërinë turistike të vizionit 2030”, tha ministria e Turizmi.

Bloomberg njoftoi se kompania Affinity Partners po kërkon gjithashtu të zhvillojë gadishullin e Zvërnecit. Por ministria e Turizmit thotë se nuk ka dijeni për një projekt të tillë.

Bloomberg shkruan se Jared Kushner u tërhoq nga jugu i Shqipërisë, një prej zonave turistike me rritje më të shpejtë në botë teksa e vizitoi atë verën e kaluar së bashku me bashkëshorten e tij Ivanka Trump dhe ish-ambasadorin Richard Grenell.

Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Presidentit Trump. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh. Kompania ka mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Kompania po shikon gjithashtu mundësi për të investuar në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share