“Trafikimi me automjete të ndihmës së shpejtë”
Deputetja e Parlamentit britanik dhe anëtarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Alisha Kerns, ka akuzuar Kishën Ortodokse serbe se trafikon armë në Kosovë, njofton KlanM.
Ajo gjatë seancës së djeshme të parlamentit britanik, ka theksuar se armët nga Serbia trafikohen në Kosovë me automjete të Ndihmës së Shpejtë që dorëzohen në kishat serbe.
“Qeveria e di këtë, ushtarët që kthehen nga shërbimi në KFOR konfirmojnë se trafikohet armë përmes kufirit në kishat otodokse me ndihmën e automjeteve të ndihmës së shpejtë. Kur ushtarët tanë përpiqen të marrin leje për t`i ndaluar, marrja e lejes stërzgjatet. Deri në momentin kur të merret leja, ndihma e shpejtë paraqitet në kishë dhe nxjerr armët”, tha Alisha Kerns, deputete britanike.
Ka reaguar Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, nën juridiksionin e të cilës janë të gjitha kishat në Kosovë. Sipas tyre, sic percjell KlanM, bëhet fjalë për akuza serioze me të cilët kriminalizohet Kisha Ortodokse Serbe. I kanë bërë thirrje KFOR-it që t`i vërtetojnë pohimet e deputetes britanike.
Nga KFOR-i kanë thënë se prani e jashtëligjshme e armëve është denoncuar në shtab, por pas hetimeve të mëtutjeshme nuk janë paraqitur dëshmi për trafikim armësh përmes kufirit administrativ Kosovë – Serbi, në kishat ortodokse me automjete të ndihmës së shpejtë.
Nga KFOR-i kanë thënë se këto aktivitete janë në kompetenca të organeve të sigurisë së Kosovës./KlanMacedonia