Deputeti i VV-së: Qeveria është ngutur me uljen e pagave ndaj gjyqësorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë mori vendim që të ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. E marrja e këtij vendimi po i duket i ngutshëm deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.

Madje, Rrahmani ka një lajm të mirë për pagat në gjyqësor.

Deputeti që shpeshherë del në kundërshtim me vendimet e partisë së tij, edhe kësaj radhe nuk pajtohet që në sistemin e gjyqësorit të ketë ulje të pagave.

Rrahmani në një përgjigje për Gazetën Sinjali u shpreh se kryeministri Kurti është dashur të pres miratimin e Ligjit për Paga.

“Është vendim pak i ngutshëm për shkak se Ligji i Pagave është duke u rregulluar. Por aq sa kam pa, me Ligjin për Paga rritet paga në gjyqësor në përgjithësi”, u shperh ai.

Ndërsa e ripërsërit se vendimi ishte i ngutshëm dhe se Kurti “është dashtë me prit”.

Rrahmani është ndër deputetët i cili ka guxuar të dalë hapur kundër vendimeve të Qeverisë. Ai, po ashtu ka kundërshtuar edhe votimin e Projekt Kodit Civil i cili parasheh bashkëjetesën mes gjinive të njëjta.

Ndryshe, propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili tha pagat në sistemin e drejtësisë nuk kanë mundur të ulen për shkak se në Kushtetuese ka qenë trajtimi i ligjit të pagave.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), të cilët vendosën që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Këto vendime janë marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të mërkurën, ku kanë qenë prezentë edhe kryetarët e gjykatave.

Vendimet e KGJK-së kanë ardhur pak orë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për pagat, që parasheh zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivelin e vitit 2017.

Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – për një ulje të tillë pagash – ka reaguar edhe shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.

Vendimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve tha se nuk po e kupton ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Për shkak të reformave që ka nisur Ministria e Drejtësisë, gjithnjë është përcjellë me probleme të ndryshme. Ne kemi nisur Vettingun, ata e kanë bojkotuar, prapë jemi takuar, sërish kanë bojkotuar”, tha Haxhiu. Ajo insiston që vendimi i qeverisë për të zvogëluar pagat kësaj kategorie është i drejtë.

Haxhiu gjithashtu kujtoi që personalisht për ligjin e miratuar nga qeveria e Haradinajt kishte iniciuar edhe proces gjyqësor, por siç tha, nuk u thirr kurrë nga Prokuroria Speciale.

Shfuqizimi i vendimit, që për Haxhiun është jo i ligjshëm, e befasoi ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ai tha se financimi adekuat dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore janë gurthemele të sistemit të sundimit të ligjit dhe kërkesa themelore të procesit integrues në Bashkimin Evropian.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share