Emigrimi i shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe është kthyer edhe në temë diskutimi në parlamentin britanik. Jo të gjithë politikanët e partisë konservatore ndajnë të njëjtin qëndrim si sekretarja e punëve të Brendshme, Suella Braverman, e cila i konsideron si ‘pushtim’.
Deputeti konservator Daniel Kawczynski në një komision parlamentar, u tregoi kolegëve të tij për protestën e një jave më parë të shqiptarëve në kryeqytetin anglez.
Deputeti konservator dënoi gjuhën e përdorur në media dhe komentet për këtë protestë.
Demonstrata që unë pash është shumë ndryshe nga zhvillimet të cilat u pasqyruan në artikullin e Mail on Sunday, ku këta protestues portretizoheshin si njerëz të cilët krijuan dhunë. Kjo nuk është ajo që unë pash. Njerëz si zoti Nigel Farage përpiqen të lartësojnë këtë histeri anti-shqiptare në faqet e Mail on Sunday. Ata duhet të jetë shumë shumë të kujdesshëm në këtë që po bëjnë.- tha ai.
Daniel Kawczynski pati edhe këtë mesazh për ministren e partisë së tij, Suela Braverman.
“Ne të gjithë duam dhënien fund të modelit kriminal të grupeve kriminale por në asnjë mënyrë s’kemi si shembull marrim shqiptarët. Sekretarja e punëve të brendshme duhet të fokusohet në detyrat e saja. Duhet të jetë e kujdesshme me gjuhën që ajo përdor.”- tha ai.
Ky reagim vjen në një kohë kur debati për emigrantët shqiptarë në Britani është ndër çështjet më të nxehta. Më 12 nëntor, në rrugët e Londrës u mblodhën mijëra shqiptarë që bërtisnin “S’jemi kriminelë” dhe kërkonin dorëheqjen e ministres britanike Suella Braverman për shkak të deklaratave të saj. Ata kanë paralajmëruar se do të zhvillojnë një tjetër protestë më 28 Nëntor, për ditën e Flamurit.