Deportohet një tjetër grup shqiptarësh nga Britania, Daily Mail: Mes tyre të dënuar dhe emigrantë të paligjshëm

11 shqiptarë janë deportuar nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë. Media britanike Daily Mail ka bërë publike fotot e mbërritjes së shqiptarëve.

“Mes atyre në avionin që u ul në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë të enjten e kaluar kishte të dënuar për vepra penale të lidhura me drogën. Të tjerë kishin kaluar Kanalin Anglez ilegalisht para se të zhdukeshin në tregun e zi”, shkruan Daily Mail.

Gjithnjë sipas asaj që shkruan media angleze personat e deportuar në këtë grup kishin marrë në Mbretërinë e Bashkuar dënime me burg me më shumë se 26 vite. Shqiptarët janë shoqëruar nga 30 zyrtarë britanikë për të siguruar që asnjëri prej tyre nuk do të shkaktonte probleme apo do të arratisej pas deportimit.

Në mbërritje, grupi i shqiptarëve është dërguar në komisariat ku kanë dhënë shenjat e gishtërinjve. Shqiptarëve u është vulosur vula dhe u ndalohet lëvizja në zonën Schengen për 3 vite. Sipas Daily Mail, kjo do t’i ndalojë ata që të kthehen në Francë dhe nga aty, të kalojnë më pas në Angli.

Një prej të deportuarve ka pohuar për Daily Mail se është marrë nga burgu ku po vuante dënimin për prodhim kanabisi në Leicester.

“Një tjetër, u prit nga miqtë duke qeshur në një Range Rover me targat e mbretërisë së Bashkuar, ku të dhënat në Agjencinë e Licencimit të Shoferëve dhe Mjeteve tregojnë se së fundmi kishte marrë një certifikatë nga Ministria e Transportit në Britani”, shkruan Daily Mail.

Përpara këtij udhëtimi, më 1 Dhjetor ishte deportuar një grup tjetër me 26 shqiptarë. Ata u nisën nga Birmingami.

“Mes tyre ishte edhe krimineli i dënuar Jorgen Bami, i cili u dënua me 27 muaj burg në Korrik pasi u kap duke rritur 250 bimë kanabis, me vlerë 147 mijë Paund nëse dilte në treg, në një pronë të rrënuar në Uells. Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, 26-vjeçari u përpoq që të fshihej pas disa shkurreve. Kur kontrolluan vendin e ngjarjes, autoritetet gjetën pako me drogë gati për shitje”, shkruan media britanike.

Më tej Daily Mail shkruan: Sipas raporteve të gjykatës, në fillimi Bami u tha policëve që ishte viktimë e “skllavërisë moderne”, i detyruar nga një bandë misterioze që të kujdesej për kanabisin në “shtëpinë e barit” për të paguar borxhin 20 mijë Paundësh të familjes së tij në Shqipëri. Ai pretendoi se të afërmit mund t‘i vriteshin nëse nuk ktheheshin paratë.

Por sipas medias britanike pas këqyrjes së telefonit të tij, u zbulua se Bami kishte një rol kyç në ndërmarrjen e paligjshme të drogës. Anëtarët e tij të bandës e thërrisnin atë “Bosi”.

Daily Mail ka marrë edhe raste të tjera që janë kthyer më 1 Dhjetor. Media britanike shkruan se 31-vjeçari Aurel Hoxha ishte “menaxher” i një shtëpie bari në Bradford. Ai u burgos për 22 muaj në Korrik dhe, sipas provave të gjykatës, ishte përfshirë në sipërmarrje të ngjashme të kultivimit të drogës në të gjithë veriun e Anglisë.

Daily Mail ka vëzhguar muajt e fundit deportimet e Ministrisë së Brendshme në Shqipërisë.

“Pavarësisht kostos prej 150 mijë Paund për fluturim, ato janë shtuar nën vëzhgimin e Sekretares së Brendshme Suella Braverman, në një moment që po rritet presioni për të ndalur krizën e migracionit”, thuhet në Daily Mail.

Në Tetor autoritetet britanike kanë kthyer 120 shqiptarë të dënuar dhe të hyrë në vend ilegalisht. Daily Mail ka marrë asokohe në intervistë dy prej të kthyerve, të cilët kanë treguar se nuk kërkonin azil, por një jetë më të mirë. Deportimet kanë vijuar edhe në Nëntor. Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme atje mendojnë se po abuzohet me ligjin për skllavërinë moderne. Kjo pasi këtë vit janë shtuar kërkesat për t’u trajtuar nga ky ligj.

Akti për Skllavërinë Moderne në vitin 2015 u nxit nga Ministrja e Brendshme asokohe, Theresa May, i cili shihej si një nga momentet e saj më krenare në politikë. Ky ligj u përcaktua për të ndaluar njerëzit që të trafikoheshin kundër dëshirës dhe detyroheshin të punonin në lavazhe, dyqane seksi dhe ndërmarrje të ndryshme kriminale në Britani. Megjithatë, tashmë kritikët thonë se ky ligj po abuzohet nga avokatët dhe klientët e tyre kriminelë për të ndaluar deportimin e atyre që nuk duan të kthehen në Shqipëri./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share