Deponia toksike me mbetje të arsenit në Llojan do të vazhdojë të ndotë ambientin edhe më tej, pasi autoritetet nuk premtojnë largimin e saj në të ardhmen e afërt.
Edhe pse fillimisht, si zgjidhje afat shkurte ishte propozuar që deponia të mbulohet dhe të rrethohet, nga Ministria e Ekologjisë thonë se, kjo nuk do ta zgjidhnin problemin me ndotjen.
Sipas ministrisë, zgjidhja afatgjate për rehabilitimin e vendeve të kontaminuara është largimi dhe depozitimi i mbeturinave në një deponi për mbetje të rrezikshme, megjithatë, në Maqedoninë e Veriut, aktualisht nuk ka deponi për mbeturina të rrezikshme të këtij lloji.
“Ministria e Ekonomisë ka filluar procedurën për dhënien e deponisë nën koncesion, në përputhje me Ligjin për lëndë të para minerale, që është edhe zgjidhja më adekuate për largimin e këtij lloji të mbetjeve. Zgjidhja e problemit, përkatësisht largimi i mbetjeve dhe depozitimi në një lokacion tjetër jashtë vendit, për shfrytëzim të mëtejmë të metaleve është paraparë si obligim i koncesionerit. Çdo lloj aktiviteti tjetër për mbulim të përkohshëm dhe rrethim, nuk do ta zgjedhin problemin me ndotjen”.
Ndërkaq, nga Ministria e Ekonomisë thonë se lokacioni ishte dhënë njëherë nën koncesionit, por marrëveshja u shkëput me kërkesë të koncesionerit. Sipas kësaj ministrie, tani po zhvillohet procedura që lokacioni të ndahet sërish nën koncesion.
“Është përgatitur informatë në lidhje me iniciativën për fillimin e procedurës për ndarje të koncesionit për eksploatim të lëndëve të para minerale teknogjenike në lokacionin “Llojan”, Komuna e Likovës me propozim – vendim, e cila është në procedurë qeveritare. Pas miratimit të vendimit për fillimin e procedurës për ndarjen e koncesionit për eksploatim nga ana e Qeverisë, vijon formimi i komisionit dhe shpallja e thirrjes publike për ndarjen e koncesionit për eksploatim të lëndëve të para minerale teknogjenike në lokacionin “Llojan”, Komuna e Likovës” – thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Në rast se e njëjta nuk realizohet, Ministria e Ekologjisë do t’i shqrytojë opsionit për zgjidhje të përhershme përmes fondeve të donatorëve dhe kontributit vendor. Deponia me arsen në Llojan, është identifikuar si një ndër pikat më të nxehta ekologjike në vend. Edhe pse autoritetet me vite premtojnë se po kërkojnë zgjidhje të problemit, banorët e kësaj zone vazhdojnë t’i vuajnë pasojat e ndotjes në bazë ditore. /tvklan.mk/