Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbulon detaje mbi hetimin ndaj Trumpit

Në një deklaratë të FBI-së, zbulohet se katërmbëdhjetë nga 15 kutitë e gjetura gjatë një bastisjeje të FBI-së në rezidencën e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Florida përmbanin të dhëna të klasifikuara, me 25 prej dokumenteve të etiketuar si ‘top sekret’.

Deklarata prej 32 faqesh, edhe në version të reduktuar, përmban detaje mbi hetimin penal ndaj Donald Trumpit, teksa ky i fundit përgatiti terrenin për të garuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Detajet e reja të përfshira në deklaratë nënvizojnë rrezikun e lartë dhe natyrën e paprecedentë të një hetimi penal nëse ish-presidenti dhe ndihmësit e tij morën dokumente sekrete të qeverisë dhe refuzuan të kthenin të gjithë materialin.

Kontrolli i 8 gushtit në shtëpinë e Trumpit intensifikoi armiqësinë e gjatë të ish-presidentit ndaj Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së.

Zyrtarë të lartë të qeverisë thonë se hetimi dhe kërkimi ishin të nevojshme për të parandaluar dëmtimin e rëndë të sigurisë kombëtare.

Deklarata prej 32 faqesh, e cila bindi një gjykatës të autorizonte kontrollin në kompleksin Mar-a-Lago të Trump-it, thotë se kur agjentët federalë shqyrtuan përmbajtjen e 15 kutive që Trump ktheu në Arkivin Kombëtar në fillim të këtij viti, ata gjetën dokumente të klasifikuara.

Midis dokumenteve disa kishin të shënuar “HCS”, një kategori e informacionit qeveritar shumë të klasifikuar, të tjera të lidhura me Gjykatën e Mbikëqyrjes së Inteligjencës së Jashtme dhe materiale të destinuara për të mos u ndarë me kombet e huaja.

Në total, ato kuti përmbanin 184 dokumente unike që mbanin shenja klasifikimi.

Disa nga dokumentet – thuhet në deklaratë – përfshijnë ato që duken të jenë shënime të shkruara me dorë nga Trumpi.

Deklarata përfshin gjithashtu një letër nga avokati Trump, Evan Corcoran drejtuar Departamentit të Drejtësisë, duke mbrojtur sjelljen e presidentit e argumentuar se Trump kishte autoritetin përfundimtar të klasifikimit brenda qeverisë.

Gjyqtari Federal, Bruce E. Reinhart, i cili miratoi urdhrin për bastisjen, pranoi një kërkesë nga agjencitë e lajmeve për të zbërthyer deklaratën, por lejoi Departamentin e Drejtësisë të propozonte redaktime të informacionit që zyrtarët qeveritarë thanë se mund të rrezikonin hetimin ose sigurinë e dëshmitarëve.

Trump reagoi në mediat sociale, duke shkruar: “Deklarata është shumë e redaktuar!!! Asgjë nuk përmendet mbi “Bërthamoret”, një mashtrim total i marrëdhënieve me publikun nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë, apo në marrëdhëniet tona të punës në lidhje me kthimin e dokumenteve – NE I DHAMË SHUMË”.

“Gjyqtari Bruce Reinhart nuk duhet të kishte lejuar kurrë bastisjen e shtëpisë sime. Ai u tërhoq dy muaj më parë nga një prej çështjeve të mia bazuar në armiqësinë dhe urrejtjen e tij ndaj Presidentit tuaj të preferuar, mua.

“Çfarë ka ndryshuar? Pse ai nuk hoqi dorë nga ky rast? Obama duhet të jetë shumë krenar për të tani”!

Lexo gjithashtu
Total
0
Share