Statujat e gurta në Ishullin e Pashkëve dhe elementë të tjerë arkeologjikë janë djegur dhe nxirë për shkak të një zjarri, sipas komunitetit indigjen dhe autoriteteteve të Kilit.
Zjarri, i cili ka filluar prej ditës së hënë dhe vjen nga vullkani Rano Raraku, ka fshirë më shumë se 100 hektarë tokë dhe ka dëmtuar statujat e famshme, të quajtura “Moai”, të cilat u ndërtuan nga një fis polinezian 500 vite më parë.
Kryetari i komunitetit indigjen e përshkroi dëmin si “të pariparueshëm” dhe paralajmëroi se “pasojat janë më të thella se sa mund të shohë syri”.
Parku Kombëtar Rapa Nui, emri i të cilit vjen nga termi indigjen i ishullit, është një zonë e mbrojtur që ekspozon trashëgiminë kulturore të fisit me të njëjtin emër.
Këshilli i Monumenteve Kombëtare ndodhet në terren duke vlerësuar dëmet që zjarri ka lënë në statujat e gurta. Përbërja e tyre mund të jetë dëmtuar nga “ekspozimi në temperatura të larta”, çka mund të shkaktojë fraktura të mëdha që cenojnë integritetin e Moai./tvklan.al