Dëme nga tërmeti në Mal të Zi: Shtëpi të plasaritura, rrëshqitje dheu, çati të dëmtuara

Kryetari i bashkësisë lokale të Kërstacit, Dragolub Manoloviq, ka thënë se dëme materiale janë shkaktuar në Golia të Malit të Zi, ku ka qenë epiqendra e tërmetit (fshati Çaragje).

“Miladin Manojloviqit i është rrënuar hambari dhe çdo fshat i Goliës më thërret se u janë plasaritur shtëpitë dhe hambarët, se ka shumë çati të dëmtuara. Në rrugën Nikshiq – Kërstac ka disa rrëshqitje të dheut”, ka thënë Manojloviq për “Vijesti”, transmeton Klan Kosova.

Për shkak të rrëshqitjes së dheut, e cila është shkaktuar nga tërmeti, rruga për në pikën kufitare Kërstac ka qenë e mbyllur për qarkullim deri në orët e para të mëngjesit. Vendasit hapën rrugën për kalimin e policëve. Rrëshqitje të dheut ka pasur edhe në disa pjesë të rrugës lokale në Golia.

Aty jetojnë rreth 130 amvisëri.

Tërmeti me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter ka tronditur territorin e Malit të Zi në ora 4:06 të mëngjesit të sotëm.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share