Ka reaguar VMRO-DPMNE në lidhje me ndryshimin e emrit të rrugës “Brigada e Dyte Sulmuese Maqedonase në Shkup”, e cila prej të premtes quhet rruga “Adem Demaçi”, përcjell KlanM.
Nga partia e Mickoskit, për këtë akuzojnë LSDM-në dhe BDI-në që sipas tyre, ndryshuan emrat e rrugëve në pajtueshmëri në Këshillin e Qytetit të Shkupit në vitin 2021.
“Pa asnjë debat, pa konsultim me qytetarët, para 2 vitesh në Këshillin e Qytetit të Shkupit, me dhunë u emërtuan pothuajse 500 rrugë dhe ura dhe objekte të tjera në kryeqytet. A e dinë të paaftët nga qeveria e LSD-së se kryeqyteti i kujt është Shkupi, i Maqedonisë apo ndonjë shteti tjetër”, thuhet në reagimin e VMRO-së.
Nga VMRO gjithashtu dënuan ngjarjen e të premtes kur sipas tyre, pa simbole shtetërore të Maqedonisë, rruga mori emrin, sipas tyre, të një nacionalisti shqiptar dhe për më tepër, nën prezencën kryeministrit të një shtetit tjetër, përcjell KlanM.
“Dje në Shkup, pa asnjë simbol maqedonas dhe me pompozitet të madh dhe në prani të një kryeministri të një shteti tjetër, rruga u emërtua nga Brigada e Dytë Sulmuese Maqedonase në emër të luftëtarit kosovar Adem Demaçi. Rruga mban emrin e Demaçit, i cili nuk ka pika kontakti as me historinë e Maqedonisë dhe as me Shkupin, por kishte ideale nacionaliste të lidhura me vende të tjera. Prandaj pyesim nëse këshilltarët e LSD-së e dinin se çfarë votonin në vitin 2021 në Këshill? Sa emra të tjerë të kontestuar rrugësh, urash e bulevardesh ka në amendamentet e votuara për emrat e rrugëve, urave dhe bulevardeve”, thonë nga VMRO-DPMNE./KlanMacedonia