Deklarata për gjuhën shqipe në RMV – Fronti Evropian kërkon dorëheqjen e kryeparlamentarit Afrim Gashi!

“Gjuha maqedonase është gjuhë e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer”.  Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për Alsat, Kryeparlamentari, Afrim Gashi, deklaratë kjo që ka shkaktuar reagime të shumta në opinion.

Fronti Evropian, duke kërkuar dorëheqjen e tij, shprehu indinjatë dhe revoltë lidhur me këtë deklaratë.

“Pohimi i tij, se gjuha e vetme zyrtare në vend është maqedonishtja, ndërsa gjuha shqipe është një “gjuhë e përkthyer,” përbën jo vetëm një gënjeshtër të hapur, por edhe një tradhëti të rëndë ndaj popullit shqiptar, historisë sonë dhe të drejtave tona të fituara me shumë mund”, deklaroi Arbana Pasholli nga Fronti Evropian. 

Nga Fronti Evropian, ia kanë kujtuar Gashit, sic thonë, disa fakte të pakundërshtueshme.

Arbana Pasholli 

  • Amendamenti V i Kushtetutës përcakton qartë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes.
  • Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e konsolidon më tej përdorimin e gjuhës shqipe si zyrtare në të gjitha sferat e jetës publike.
  • Në praktikë, gjuha shqipe është një komponent i pandashëm i strukturës institucionale, kulturore dhe shoqërore të vendit tonë—një realitet që nuk mund të fshihet nga asnjë akt servilizmi.

Si Kryetar i Kuvendit, sipas Frontit Evropian, detyra e tij është të mbrojë Kushtetutën, të ruajë harmoninë ndëretnike dhe të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve—jo të përçajë, të mbjellë përçarje dhe të ulë dinjitetin e komunitetit të dytë më të madh etnik në vend.

“Afrim Gashi ka kaluar një vijë që asnjë shqiptar nuk duhet ta kalojë. Historia do ta mbajë mend këtë tradhëti, dhe populli shqiptar nuk do ta falë. Kërkojmë dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti i Kryetarit të Kuvendit.  Ai do të mbetet turpi i popullit tonë, i historisë sonë”, tha Arbana Pasholli. 

Kjo deklaratë e Kryeparlamentarit Gashi erdhi në kohën kur gjuha shqipe kontestohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në mars 2025 do të mbajë seancë përgatitore dhe do të konsultohet me ekspertët para se të debatohen nismat që kontestojnë këtë Ligj. Në seancën e 11 dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese nuk morën pjesë gjykatësit shqiptar, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Në këtë periudhë, Fronti Evropian, aktivizoi nismën “Roja e Gjuhës” ku për disa ditë, në shenjë proteste, bëri roje para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share