Dekani i Fakultetit Filologjik, Berton Sulejmani mori pjesë në konferencën shkencore „Albanologjia dje, sot dhe nesër“

Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani mori pjesë në konferencën shkencore „Albanologjia dje, sot dhe nesër“

Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Berton Sulejmani, mori pjesë në konferencën shkencore Java e Albanologjisë 14/2023 „Albanologjia dje, sot dhe nesër“ në 70-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Në këtë konferencë lexoi kumtesën me titull: Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Universitetit të Tetovës (bashkëpunimi i ndërsjellë i kuadrit akademik e shkencor i të dy  institucioneve tona). Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës (1953) paraqiti ndihmesat e IA-së, përkatësisht punonjësve shkencor dhënë katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të UT-së që nga themelimi e deri në ditët e sotme (dr. Qemal Murati, dr. Zymer Neziri, akad. Rexhep Qosja).

Por, krahas ndihmesës dhe përkrahjes në mësimdhënie, pjesë e kumtesës ishte edhe kontributi reciprok i të dy institucioneve tona në fushën e gjuhësisë, letërsisë e folklorit shqiptar. Këtu, autori e ka fjalën për pjesëmarrjen e kolegëve nga IA-ja në organizimet e tubimet tona shkencore, pra të Universitetit të Tetovës, si: Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë, i cili këtë vit më 29-30 shtator do të organizojë të shtatëmbëdhjetin me radhë dhe Konferenca e Fakultetit Filologjik, si dhe pjesëmarrja e kolegëve të katedrës së gjuhës shqipe në konferenca, tubime e botime shkencore të IA-së në Prishtinë.

Në fund të kumtesës së tij, dekani i F. Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, theksoi se Instituti Albanologjik duke qenë vazhdimisht mbështetës i projekteve kombëtare në aspektin e gjuhës, historisë, letërsisë dhe përkrahjes së projektit kombëtar, themelimit të Universitetit të Tetovës (1994), kuptohet, krahas Universitetit të Prishtinës, Universitetit të Tiranës etj., do të mbetet gjithmonë institucioni i rëndësishëm i shqiptarëve. Thellimi i bashkëpunimit i të dy institutcioneve tona duhet të rritet edhe më shumë, theksoi Berton Sulejmani.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share