Debat Plus/ Koalicionet – a do të maksimalizohet vota shqiptare?!

Votuesit dhe njerëzit në Maqedoninë e Veriut duhet ta kenë parasysh se kush flet për tema e kush për persona gjatë fushatës zgjedhore – tha në Debat Plus, analisti Lirim Mehmetaj.

Sipas tij, kjo do të jetë shumë e rëndësishme nëse do të maksimalizohet ose jo vota shqiptare.

“Historia na mëson se njerëzit që flasin për njerëzit tjerë, e jo për tema, kryesisht janë, si me thanë, grupe politike të cilët shpresojnë që të kapitalizojnë në urrejtjen ndaj tjerëv e jo në potencialin e vet” – tha Lirim Mehmetaj, analist.

Analisti Visar Ymeri vlerëson se për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është shumë mirë që ka dy blloqe politike, kurse maksimalizimi I votës shqiptare do të varet nga fushata zgjedhore.

“Nëse lufta bëhet kaq e egër në mes të personave me emër të përveçëm, këtë e them prej përvojës, ata njerëz që marrin pjesë në proceset zgjedhore janë kryesisht militantët të cilët luftën politike nuk e shohin si luftë për të mirën e përgjithshme, por si fitore personale” – tha Visar Ymeri, analist.

Por, analisti Dibran Hoxha, sheh edhe një shqetësim tjetër. Paralajmërimet publike të eksponentëve të VMRO-DPMNE-së, që të fitohen 61 deputetë në zgjedhjet parlamentare, nuk duhet të lejohet nga partitë shqiptare.

“E tha edhe nënkryetari I VMRO-së, Nikolovski, ai e ndjente veten si tepër fitues duke thënë se “përse me nxjerrë kushte të tjerët kur ne do të jemi fituesit e padiskutueshëm. Këtë nuk duhet lejuar atyre. Nuk mund që “për një plesht me kall jorganin” – tha Dibran Hoxha, analist.

Por, gazetari Naser Selmani, vlerëson se, që të mos përsëriten gabimet nga e kaluara, në qeverinë e ardhshme duhet të hyjë ai bllok politik që do të jetë fitues tek shqiptarët.

“Le të bëjnë marrëveshje xhentëlmene. Le të ulen të merren vesh, nuk do hyjnë në Qeveri pa marrëveshje paraprake. Nëse një bllok fiton një deputet më tepër, ajo ka legjitimitetin të hyjë në qeveri dhe opozita do të rrijë anash dhe do të ketë detyrim që ta ndihmojë partinë në pushtet që t`i shtyjë proceset e shqiptarëve” – tha Naser Selmani, gazetar.

Në Debat Plusin e parë në studiot e reja të Klan Maqedonisë, morën pjesë edhe gazetarët Xhenur Iseni dhe Gazmend Ajdini ku u debatuan, mes tjerash, dy frontet e krijuara të partive shqiptare por edhe zhvillimet aktuale në prag të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share