Daniel Serwer: Politika e Bidenit në Ballkan ishte dështim, Trump s’duhet të përsëris gabimin me idenë për korrigjim të kufijve

Profesori në universitetin “Johns Hopkins” në ShBA, Daniel Serwer në një shkrim autorial në peacefare.net thekson se politika e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden në Ballkan ka dështuar.

Ai thotë se normalizimi politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që SHBA dhe Bashkimi Evropian synonin është më i largët se sa në vitin 2020.

Përpjekja për pajtim nuk ka funksionuar

“Politika e gabuar është shkaku i këtyre dështimeve. Departamenti Amerikan i Shtetit i administratës Biden zgjodhi të bënte lëshime ndaj Beogradit, shtetit më të madh në Ballkanin Perëndimor, nga ana e popullsisë dhe territorit. Zyrtarët që pëlqejnë të përsërisin këto fakte shpresonin që Serbia do të zgjidhte t’u bashkohej Perëndimit. Ata mendonin se kjo do të tërhiqte Bosnjën në drejtimin e duhur.

Beogradi ka adoptuar objektiva irredentiste. Ai synon të krijojë një ‘botë serbe’, të ngjashme me ‘botën ruse’ të Moskës. Kjo do të bashkonte popullsinë serbe të shteteve fqinje në një hapësirë politike të njëjtë de facto, nëse jo de jure. Mali i Zi ka hyrë tashmë, rezultat i zgjedhjeve në të cilat Beogradi dhe Moska kishin ndikim të madh.

Republika Serbe e Bosnjës, 49 për qind e saj e dominuar nga serbët është e varur nga Rusia dhe po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e botës serbe. Beogradi synon të inkorporojë edhe serbët e veriut të Kosovës”, thekson Serwer.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit thekson tutje se autokracia po përhapet.

“Për të kompensuar qëndrimin në favor të Serbisë, Departamenti i Shtetit zgjodhi gjithashtu të ‘zbutë’  Shqipërinë, shtetin e dytë më të madh në Ballkanin Perëndimor. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit shpresonin se kjo do të tërhiqte Kosovën në një drejtim tjetër.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka mbetur besnike ndaj Aleancës. Por, kryeministri i saj është një rival politik i kryeministrit të Kosovës. Konkurrenca politike mes tyre ka penguar çdo ndikim pozitiv të mbështetjes së Washingtonit për të parin dhe antagonizmit ndaj të dytit. Megjithatë, preferenca amerikane ndaj kryeministrit të Shqipërisë i ka mundësuar atij të krijojë një monopol de facto mbi pushtetin. Ai ka fragmentuar dhe dobësuar opozitën. Korrupsioni është në rritje”, thotë ai.

Sipas tij, diçka e ngjashme ka ndodhur gjithashtu në Serbi, ku presidenti ka shkatërruar opozitën.

Serwer thotë se SHBA dhe BE rrallë flasin kundër korrupsionit ose abuzimit me pushtetin në Serbi. Forcat e sigurisë rregullisht godasin dhe dhunojnë protestuesit.

“Megjithatë, Brukseli dhe Washingtoni vazhdimisht mbështesin prioritetet e Beogradit. Ata janë përpjekur të mbështesin minierat e litiumit në Serbi, të cilat lëvizjet mjedisore serbe i kundërshtonin. Kjo, përkundër faktit që ekzistojnë depozita më të mëdha litiumit në Amerikën e Veriut dhe të Jugut”, shprehet ai.

Profesori Serwer që njeh mirë zhvillimet në Ballkan ka shkruar tutje edhe për drejtimin e duhur të politikës.

“Qasja e Administratës së parë të Donald Trumpit për Ballkanin favorizoi ndarjen e Kosovës, që do të kishte sjellë gjithashtu ndarjen e Bosnjës. Kjo do ta kishte shpërblyer Serbinë dhe Rusinë. Përpjekja dështoi. Administrata e re amerikane nuk duhet ta përsërisë këtë gabim.

Ajo duhet gjithashtu të njohë dështimet e administratës Biden. Kjo nuk duhet të jetë e vështirë. Ato janë të dukshme: mbështetje shumë e madhe për Beogradin dhe Tiranën, vëmendje shumë e vogël ndaj korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Dhe mbështetje e pamjaftueshme për sovranitetin e Bosnjës dhe Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, një vlerësim realist i gjeopolitikës në Ballkan duhet të udhëheqë një ndryshim të politikës.

“Serbia dhe Mali i Zi janë rreshtuar me Rusinë. Ato ndihmojnë vullnetarisht Moskën të destabilizojë pjesën tjetër të Ballkanit. Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu marrin financime nga Kina.

Kosova dhe Shqipëria mbeten pro-amerikane dhe të gatshme të rezistojnë ndaj keqbërjeve të Rusisë dhe Kinës.

Drejtimi i duhur i politikës për Administratën Trump është të ndihmojë miqtë e Amerikës dhe të dëmtojë armiqtë e saj”,  tha ai.

Serwer thekson se Prishtina dhe Sarajevë janë shtete ballë për ballë në rivalitetin gjeopolitik me Rusinë dhe Kinën.

“Por, Kosova dhe Bosnja janë ende shtete të dobëta. Ato duhet të konsolidojnë sovranitetin e tyre shtetëror. Washingtoni dhe Brukseli duhet të ndihmojnë në këtë. Ato meritojnë mbështetje ushtarake, inteligjente, financiare dhe politike.

Amerikanët dhe evropianët duhet të zvogëlojnë mbështetjen për Beogradin dhe Tiranën. Ata nuk duhet të injorojnë më korrupsionin në Shqipëri dhe Serbi. Brukseli dhe Washingtoni duhet të kritikojnë publikisht shkeljet e të drejtave të njeriut dhe normave demokratike. Ata duhet të reduktojnë financimin” tha ai.

Profesioni i universitetit thekson se kjo nuk do të jetë e lehtë.

“Duket mjaft e thjeshtë, por është më komplekse. Gjatë katër viteve të fundit, Beogradi ka kërkuar me kujdes mbështetje nga Trump, familja dhe mbështetësit e tij. Jared Kushner po investon para saudite në zhvillimin e pasurive të patundshme në Serbi. Nëse lidhjet personale mbizotërojnë, ka pak shpresë për një ndryshim të mirë të politikës amerikane në Ballkan.

Por, si Sekretari i Shtetit i propozuar Marco Rubio dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare i propozuar Keith Kellogg nuk janë pjesë e këtij grupo të pasurive të patundshme, për aq sa di unë.

Ata duhet të jenë të gatshëm për të argumentuar se Amerika duhet të jetë e mirë me miqtë e saj. Marco Rubio ka mbështetur Kosovën në të kaluarën. Kellogg nuk do të dëshirojë pasiguri në Ballkan ndërkohë që SHBA përpiqet të zgjidhë luftën në Ukrainë. Ndarja e Bosnjës ose Kosovës do të shpërblente agresionin rus.

Trump vetë mund të pëlqejë idenë e forcimit të sovranitetit të miqve të Amerikës në Ballkan. Asnjëra,  Bosnja dhe Kosova nuk ka qenë ndonjëherë “e madhe”. Por t’i bësh ato më të mëdha është ende një kauzë e denjë”. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share