Dan Hutra, nga përdhunues në vrasës serial: 13 ditë pasi doli nga burgu vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera në mes të Tiranës

Ditën e 13-të të lirisë, Dan Hutra tronditi mbarë opinionin publik.

40-vjeçari nga Kukësi dyshohet si autori i 3 vrasjeve dhe 3 plagosjeve të ndodhura këtë të mërkurë në Tiranë. Ngjarjet ndodhën në 3 vende të ndryshme, në një hark të shkurtër kohor.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

I armatosur me thikë dhe armë zjarri, Dan Hutra lëvizte me makinë. Fillimisht shkoi në Astir. Atje plagosi me thikë 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi. Ishte vetë kjo e fundit e cila pranoi që ishte plagosur prej Hutrës. Për policinë, gruaja tha se me autorin e dyshuar kishte njohje të mëparshme. Këtë të mërkurë ai kishte shkuar në biznesin e saj për t’i kërkuar para, një veprim që sipas 40-vjeçares, e bënte herë pas herë. Sot Marjana refuzoi, ndaj dhe Hutra e plagosi me thikë.

Hutra nuk u ndal, por me makinë shkoi drejt Paskuqanit, aty ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij, me të cilën ka edhe një fëmijë të mitur. Aty kreu masakrën. Vrau 2 gra dhe plagosi 2 të tjera. Viktima janë Mevlute Hysa 30-vjeçe, motra e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafku 30-vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses. Të plagosura mbetën Elena Hysa, 35-vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj. Të dyja gratë ndodhen në spital dhe gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.

Pasi u largua nga shtëpia e familjes Hysa, Dan Hutra u nis drejt objektivit të radhës. Shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit. Ai e ekzekutoi 31-vjeçaren në oborrin e shtëpisë dhe u largua po me makinë. Të renë dyshohet se e vrau për t’u hakmarrë ndaj vëllai të saj, me të cilin kishte pasur konflikt në burg. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i dënuar përjetë për vrasjen e një çifti në Kamzë disa vite më parë.

Dan Hutra ndodhet aktualisht në arrati. Policia e Shtetit e konsideron person me rrezikshmëri të lartë dhe kërkon nga kushdo që ka informacion të njoftojë autoritetet.

Me një skedë të pasur kriminale, Dan Hutra krimin e parë e bëri kush ishte 20 vjeç. Në atë kohë mbajti peng nënën e kunatës së tij dhe përdhunoi kunatën tjetër, krime për të cilat u dënuar vetëm me 3 vjet burg.

Pasi doli nga burgu u fejua me një vajzë 22-vjeçare, të cilën e vrau në Dhjetor të 2007. Dafina Havalja u vra në shtëpinë ku bashkëjetonte me Hutrën, në Tiranë. Dyshonte se e tradhtonte, e për këtë arsye e vrau të renë duke e goditur me thikë në zemër. Për këtë ngjarje të rëndë u dënuar me 24 vjet, por duke qenë se gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar, ai qëndroi në burg vetëm 16 vjet.

Në burg u rikthye më 16 Qershor të vitit të shkuar, për dhunë në familje. Do të kishte qenë ende në burg, nëse ish-bashkëshortja e tij Elena Hysa, e cila mbeti e plagosur këtë të mërkurë në masakrën që ndodhi në familjen e saj, nuk do të kishte tërhequr kallëzimin. Me Elenën kishte pasur konflikte të vazhdueshme, pasi i kërkonte asaj një shumë parash që pretendonte se i kishte shpenzuar më parë me të. Mbetet e paqartë përse e tërhoqi kallëzimin 35-vjeçarja Hysa./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share