“Sipas burimeve, një figurë misterioze e botës së krimit nga Shqipëria, i njohur vetëm me iniciale, thuhet se është një nga organizatorët e krimit në krye të një rrjeti tregtarësh droge që furnizojnë me kokainë punëtorët e shtresës së mesme, turistët dhe studentët”, shkruan Daily Mail.
Sipas disa raporteve të OKB, prodhimi global i kokainës ka arritur nivele rekord me rikthimin e kërkesës pas bllokimeve nga Covid.
“Muajin e kaluar, një kongresmen kryesor në Ekuador zbuloi se si kërcënimi i mafias shqiptare ka infektuar vendin përmes dhunës dhe ryshfetit për të ndërtuar një biznes të paligjshëm që konsiston në blerjen e kokainës me çmim të ulët në Amerikën Latine dhe tregtimin në Europë”, shkruan Daily Mail.
Fernando Villavisencio, tha se rreth 4 mijë shqiptarë jetojnë në Ekuador.
“Trafiku i drogës, korrupsioni dhe format e tjera të krimit të organizuar kanë kontaminuar pjesë të mëdha të sistemit të shtetit të ekuadorian, duke përfshirë klasën politike dhe partitë, institucionet e drejtësisë, sistemin financiar dhe kanë mundur të penetrojnë tek forcat e rendit të cilat janë përgjegjëse për luftën ndaj krimit të organizuar”, tha kongresmeni Villavicencio.
Sipas Daily Mail, kokaina që futet nga Ekuadori në Britani zakonisht fshihet në kontejnere dhe vjen nga portet e Roterdamit ose Antëerp-it. Edhe në këto qytet është parë një rritje krimit të bandave që lidhen me drogën.
Në pjesën e dytë të hetimit, Daily Mail thotë se ka intervistuar një kriminel ekuadorian, i cili ka thyer kodin e heshtjes së mafias dhe ka zbuluar se si banda e tij punon me narkosit shqiptarë për të trafikuar tonelata me kokainë drejt Britanisë dhe Europës. Daily Mail pretendon se ky person do të zbulojë historinë e Dritan Rexhepit, i cili u lirua nga burgu në Ekuador.
Rexhepi njihet si “mbreti i arratisjeve” sepse është larguar nga burgjet në Belgjikë dhe Shqipëri. Po ashtu, nga policia britanike ai është në listën e më të kërkuarve. Sipas Daily Mail ai është rasti tipik i narkosve shqiptarë që vendosen në Ekuador, negociojnë direkt me prodhuesit dhe komandojnë tërë zinxhirin e furnizimit me kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës./tvklan.al