Daçiq bën thirrje për anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç tha më 18 Qershor se beson që festivali “Mirëdita, dobar dan” që pritet të mbahet në fund të qershorit në Beograd, duhet të anulohet.

Festivali organizohet që prej vitit 2014 dhe ka për qëllim krijimin e një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

Daçiç tha se ngjarja nuk po organizohet “në hapësirën shtetërore” dhe se nuk mund të thotë në këtë moment se çfarë do të marrë përsipër shteti.

“Policia ka autoritet kur bëhet fjalë për tubime në ambiente të jashtme, kurse kur bëhet fjalë për tubime në ambiente të mbyllura ne nuk kemi asnjë rol. Mendoj se në përgjithësi është një tubim me rrezikshmëri të lartë dhe apelojmë që të anulohet e gjithë ngjarja”, tha ai në televizionin Pink.

Festivali prezanton për publikun skenën kulturore dhe sociale të Kosovës dhe këtë vit organizohet nga 27 deri më 29 qershor.

Më herët, organizatorët e festivalit njoftuan se programi këtë vit do të modifikohet në mënyrë që të mos ketë ngjarje publike kur në Serbi festohet Vidovdani më 28 qershor.

Paraprakisht, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, deklaroi më 15 qershor se administrata e qytetit nuk do të japë asnjë lloj miratimi për mbajtjen e këtij festivali, ndërsa organizatorët i akuzoi se “ia kanë futur gishtin në sy shtetit serb” pasi “Mirëdita” po mbahet në Vidovdan.

Vidovdani është një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

Në të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se mbajtja e festivalit të kulturës së Kosovës në Vidovdan është “fyerje të cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet”.

“Nëse shteti nuk përgjigjet, do të ketë vend që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”, tha Vulin.

Sipas njoftimeve të organizatorëve, edicioni këtë vit “do të përfaqësojë një ndërthurje të artit, skenës bashkëkohore kulturore, por edhe inicimin e çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në kohë që paraqesin një sfidë të madhe për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës”.

Festivali, prej vitesh, shoqërohet me thirrjet dhe përpjekjet e organizatave dhe të partive të djathta në Serbi për ndalimin e tij.

Festivali “Mirëdita, Dobar dan” u mbajt për herë të parë me kapacitet të plotë në Prishtinë në vitin 2021.

Ai organizohet nga OJQ Integra, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Forumi ZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share