Daçiç thotë se kërkesa e Listës Serbe kërkon reagim të shtetit

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka vlerësuar se kërkesa e Listës Serbe drejt qeverisë së Serbisë për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës si organizatë terroriste është një mesazh politik që kërkon një reagimi nga shteti i Serbisë.

Daçiç tha për televizionin B92 më 3 korrik se qëllimi i Prishtinës është që disa organizata të caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe shpërngulje të serbëve nga ajo zonë.

Kërkesa e Listës Serbe vjen disa ditë pasi qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – dy organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Duke komentuar deklaratën e Kurtit se në veri të Kosovës janë identifikuar 45 persona të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, Daçiç pyeti nëse Beogradi duhet të publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve, që sipas tij, kanë “demonstruar kundër Serbisë me vite”.

“A është kjo rruga drejt normalizimit? Mendoj se serbët kanë të drejtë t’i shprehin pikëpamjet e tyre politike”, tha Daçiç.

Policia e Kosovës ka rritur praninë në pjesën veriore – të banuar me shumicë serbe – teksa në këtë zonë janë rritur tensionet. Kurti deklaroi më 3 korrik se autoritetet kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës.

Deri më tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan. Atë ditë, protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Kurti tha se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”. Bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të ulin tensionet dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share