Para dy ditësh, media prestigjioze amerikane CNN e renditi vendin tonë si një ndër 12 destinacionet turistike të kësaj vere.
Kryeministri i vendit Edi Rama ka postuar faqet e gjithë artikullit në rrjetin e tij social Facebook, ku shkruan se Shqipëria është destinacioni i turizmit të qëndrueshëm.
“Shqipëria një perlë mesdhetare dhe këtë e thotë gjigandi mediatik botëror CNN që na rendit mes 12 alternativave për t’u vizituar këtë verë, si destinacion i turizmit të qëndrueshëm, mes bregdetit fantastik, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, duke ofruar eksperiencën unike të pushimeve për vitin 2023”, shkruan Rama.
CNN ka publikuar një foto nga qyteti historik i Krujës, teksa e cilëson Shqipërinë si një perlë të Mesdheut, ndërsa e rendit mes vendeve si Spanja, Austria, Tailanda, Peruja, Malta apo Italia.
“Shqipëria është një perlë mesdhetare që ka të ngjarë të jetë më pak e mbushur me njerëz këtë verë sesa Greqia dhe Kroacia. Ka një vijë bregdetare të mrekullueshme me plazhe të paprekura; Butrinti, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që dikur ishte një koloni greke dhe qytet romak, i braktisur më vonë gjatë Mesjetës; plus mundësi për shëtitje, ecje dhe eksplorim të jashtëzakonshëm”, shkruan CNN.
Sipas CNN , ky sezon veror do të jetë një sukes i madh udhëtimesh në mbarë botën. Globalisht, udhëtimet ndërkombëtare ishin në 80% të niveleve të para-pandemisë në tremujorin e parë të 2023, dhe një verë e fortë pritet në hemisferën veriore, sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së./tvklan.al