Fëmijët ditët e sotme janë në kontakt me rrjetet sociale që në moshë shumë të vogël, aq sa kërkojnë të hapin një llogari të tyren. Por kur mund t’u themi ‘Po’ atyre? Cila është mosha e duhur që prindërit t’u japin akses të tillë nëpër internet?
Joanna Schroeder, autore e librit “Talk to Your Boys”, beson se nuk ka një moshë specifike “të duhur” pasi sipas saj ky fenomen varet nga personaliteti dhe nevojat e secilit fëmijë.
Joanna thekson se prindërit duhet të jenë gjithnjë pranë fëmijëve, por pa i kritikuar.
Si mund ta përgatisim terrenin që ata të fillojnë të përdorin në mënyrë aktive mediat sociale?
“Ne pajtohemi me idenë se ata gjithashtu do të ekspozohen ndaj përmbajtjeve të dhunshme dhe potencialisht të papërshtatshme për moshën, nga imazhet e luftës te pornografia, por duhet t’i bëjmë të ditur një adoleshenti se jemi të hapur për të diskutuar çdo gjë që i shqetëson në internet. Në një rast të tillë, ne shprehim kundërshtimin tonë ndaj përmbajtjes dhe i shpjegojmë, në varësi të rastit, se pornografia nuk pasqyron marrëdhënie reale seksuale dhe se një imazh perfekt i një vajze nuk pasqyron standarde reale të bukurisë”, shton Joanna.
Ajo thotë po ashtu se është thuajse e pashmangshme që ata të gabojnë kur përdorin rrjetet sociale, por nuk duhen gjykuar.
“Mos i vini në siklet, mos i bëni të ndihen fajtor apo të kenë turp. Flisni me ta, kjo është mënyra për të shmangur situata të tilla në të ardhmen”, përfundon shkrimtarja./tvklan.al