Një platformë koordinimi politik për kontinentin europian
Ideja e Komunitetit Politik Europian e ledhur nga presidenti francez Emmanuel Macron u mbështet nga liderë të tjerë europianë dhe u përqafua dhe nga ata të institucioneve europiane, si presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ka deklaruar në 14 shtator 2022, se Komisioni Europian ka idetë e tij për këtë komunitet.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka publikuar mbrëmjen e të djelës, 2 tetor, letrën e ftesës për mbajtjen e samitit të parë të Komunitetit Politik Europian, që do të zhvillohet në 6 tetor në Pragë. “Nisur nga pasojat dramatike të luftës së Rusisë që prek vendet evropiane në shumë fronte, ne ramë dakord të ngremë Komunitetin Politik Evropian me synimin për të bashkuar vendet në kontinentin evropian dhe për të ofruar një platformë për koordinimin politik” shprehet Cherls Michel në këtë letër.
Ai rikujton se ambicia e samitit të parë të Komunitetit Politik Europian është të bashkojë liderët në baza të barabarta dhe të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët, në mënyrë që vendet e Komunitetit të punojnë së bashku për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të Evropës në tërësi. Në këtë letër specifikohet programi i kohëzgjatjes së samitit, ku gjatë pasdites liderët e vendeve që do jenë prezentë do të marrin pjesë në seancë plenare dhe kenë mundësi të kryejnë takime bilaterale, përfshirë dhe darkën e punës, që do shënojë përfundimin e seancës plenare. Pjesëmarrja në këtë takim është konfirmuar nga 44 vende, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Mbretëria e Bashkuar apo Turqia.
Një përfaqësim politik për Ballkanin e të tjerë në takimet e BE-së:
Komuniteti Politik Europian ofron së pari një qasje politike në institutionet kyçe europiane. Siç është shprehur në samitin europian të 23 qershorit, Charles Michel, Komuniteti Politik do të takohet të paktën dy herë në vit në nivelin e liderëve, ku dialogu politik do të zhvillohet në baza të barabarta. Sipas burimeve diplomatike, kjo mund të ndodh me rastin e samiteve europiane, që mbahen në Bruksel katër herë në vit. Formula e zgjedhur këtë herë për samitin e parë të këtij Komuniteti në 6 tetor në Pragë nga Charles Michel tregon konretizimin e këtij modeli, ku dita e parë e samitit i kushtohet Komunitetit Politik Europian dhe e dyta samitit, në 7 tetor, i kushtohet samitit të 27 shteteve anëtare të BE-së.
Po ashtu, qasja në takimet e familjeve të gupeve politike, të cilat mbahen përpara samiteve, do të ishte gjithashtu e hapur për vendet jo anëtare të BE-së. Formacionet politike të këtyre vendeve mund të integrojnë partitë politike evropiane. Ky përfaqësim politik mund të reflektohet edhe në Parlamentin Evropian, ku delegacionet nga vendet jo-anëtare mund të marrin pjesë në seancat plenare si vëzhgues, duke përfituar nga e drejta e fjalës dhe e kontributit në punën e komisioneve parlamentare, pa të drejtë vote, përveçse për rezolutat e miratuara nën kujdesin e Komunitetit Politik Europian.
Takimet e Komunitetit mund të mbahen edhe në nivel ministror. Ajo që përbën interes, është se ofrohet mundësia që ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u bashkohen takimeve të Këshillit të punëve të jashtme të BE-së në baza të rregullta, në varësi të agjendës. Dhe formacione të tjera, si Këshilli i punëve të përgjithshme, ku diskutohet për procesin e zgjerimit të BE-së mund të frymëzohen nga një shembull i tillë. Kjo do të thoshte, që ministrat e Ballkanit Perëndimor të jenë prezentë në varësi tê axhendës, kur diskutohet për vendet e tyre.
Garanci për mbrojtjen dhe sigurinë
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka insistuar se shtylla e mbrojtjes dhe sigurisë së Komunitetit Politik Europian nuk do të jetë aty për të konkurruar me Aleancën Atlantike. Sipas tij, bêhet fjalë për të përcaktuar garanci reciproke sigurie, si për t’u dhënë garanci vendeve anëtare të këtij Komuniteti. Për Macron, do të ishte gjithashtu një çështje e ndërtimit të bashkëpunimit të përforcuar në nivel operacional dhe në aspektin e aftësive mbrojtëse. Kështu e ka përkufizuar ai me pak fjalë, krijimin e një “arkitekturë mbrojtëse”.
Avancimi në sektorë socio-ekonomikë
“Politika e jashtme do të ishte një fushë kryesore e bashkëpunimit të Komunitetit” është shprehur presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, por theksi mund të vihet gjithashtu në lidhjen me programet socio-ekonomike, që nuk kërkojnë domosdoshmërisht harmonizim rregullator. Shembujt konkretë nê këtë rast janë programe si “Erasmus” që kanë të bëjnë me shkëmbimin e studentëve, programi “Horizont” që ka të bëjë me kërkimin, si dhe sektorët e transportit dhe energjisë. Kjo ështê konfirmuar edhe në letrên e presidentit të Këshillit Europian mbi samitin e 6 tetorit, në Pragë, ku shtjellohet më tutje, se liderët do të kenë mundësinë të diskutoni tema të tilla si paqja dhe siguria, situata ekonomike, energjia dhe klima, si dhe migrimi dhe lëvizshmëria
Francezët identifikojnë tetë fusha që mbulojnë një gamë të gjerë: 1. politika e jashtme dhe e sigurisë, 2. ndryshimet klimatike dhe furnizimi me energji dhe lëndë të para, 3. siguria ushqimore, 4. zhvillimi i infrastrukturës dhe ndërlidhja e tyre, 5. Lëvizshmëria, 6. migrimi, 7. lufta kundër krimit të organizuar, 8. marrëdhëniet me aktorët e tjerë gjeopolitikë.
Ky samit është përgatitur nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në bashkëpunim me presidentin francez, Emmanual Macron. Sipas Charles Michel, asnjë rezultat zyrtar me shkrim i Komunitetit Politik Evropian nuk është parashikuar për samitin e 6 tetorit, raporton Erisa Zykaj – Bruksel.