Natyrisht, shumica e rregullave dhe masave që do të hyjnë në fuqi në vitin 2025 – për shembull, taksat më të ulëta për popullsinë e Gjenevës – janë të destinuara për të gjithë, zviceranë dhe banorë të huaj.
Të tjerat, nga ana tjetër, do të jenë të rëndësishme kryesisht për banorët ndërkombëtarë.
Këtu janë disa për të cilat duhet të keni parasysh:
Tarifa më të larta të shkollimit
Duke filluar nga semestri i vjeshtës të vitit 2025, dy politeknikat federale të Zvicrës – në Cyrih (ETH) dhe në Lozanë (EPFL) – do të trefishojnë tarifat e shkollimit për studentët e huaj, nga 730 aktuale në 2,190 franga zvicerane.
(Rritja do të zbatohet vetëm për studentët e rinj; ata që janë regjistruar tashmë, mund t’i kryejnë studimet me tarifat e vjetra).
Kjo rritje ka për qëllim të kompensojë kontributet më të ulëta federale, sepse nga viti 2025, ndihma financiare e qeverisë për dy institutet publike do të reduktohet ndjeshëm.
Masat e tjera nuk janë vendosur ende, por do të vazhdojnë të shkaktojnë polemika në muajt e ardhshëm:
Marrëveshja Zvicër-BE
Një temë e nxehtë që ose do të zgjidhet para fundit të dhjetorit ose vitin tjetër, është ‘klauzola mbrojtëse’ e diskutueshme, e cila i lejon qeverisë zvicerane të rifusë në mënyrë arbitrare kuotat e lejeve për një kohë të kufizuar për vende të caktuara nëse imigracioni nga çdo vend kalon një prag të caktuar.
Gjatë raundit aktual të bisedimeve midis Bernës dhe Brukselit, Zvicra është përpjekur të ruajë klauzolën mbrojtëse, ndërsa BE-ja po e lufton atë, transmeton albinfo.ch.
Nëse Zvicra mbizotëron – gjë që nuk duket shumë e mundshme, por nuk e dini kurrë – atëherë e drejta e qytetarëve të BE-së për tregun zviceran të punës mund të kufizohet.
Dhe duke folur për emigracionin…
Zviceranët mund të votojnë për këtë çështje
Nuk dihet ende nëse nisma e quajtur ‘Jo Zvicrës së 10 milionë njerëzve’ do të sillet në kutitë e votimit në vitin 2025, por mund të jetë.
Me këtë veprim, Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë dëshiron të frenojë fluksin e vazhdueshëm të të huajve në Zvicër, sepse, sipas partisë, ata kanë bërë që popullsia e Zvicrës të kalojë 9 milionë njerëz në vitin 2023.
Propozimi kërkon që kushtetuta të përfshijë një amendament të ri që garanton “zhvillim të qëndrueshëm demografik” – që do të thotë që popullsia e Zvicrës nuk duhet të kalojë 10 milionë njerëz përpara vitit 2050.
Taksa e imigracionit
Këshilli Federal po studion mundësinë e vendosjes së një ‘tarifë hyrjeje’ për punëtorët që vijnë në vend nga vendet jo-BE – një propozim i nxitur gjithashtu nga SVP, përcjell thelocal.
Parimi pas idesë së SVP është ta bëjë imigracionin më të shtrenjtë dhe për këtë arsye më pak tërheqës.
Sipas propozimit, një pjesë e të ardhurave nga kjo taksë – e cila mund të arrijë në 5,000 franga për person – do të përdoret për të kompensuar kostot e krijuara nga emigracioni, si mungesa e banesave dhe përdorimi i tepërt i infrastrukturës tjetër të Zvicrës.
Ndonëse kjo tingëllon ekstreme, është një version “i zbutur” i një mocioni të mëparshëm parlamentar, që i bën thirrje qeverisë të vendosë taksën ndaj të gjithë të huajve, duke përfshirë ata nga Bashkimi Evropian dhe vendet e EFTA (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni).
Kjo çështje do të vazhdojë të debatohet në vitin 2025.
Dënim për punëdhënësit
Një propozim i ngjashëm, i paraqitur nga Partia Liberale-Radikale (PLR), mbështet një taksë imigrimi për kompanitë zvicerane që punësojnë të huaj.
Ideja është që punëdhënësit zviceranë që rekrutojnë nga jashtë duhet të kontribuojnë financiarisht në kostot ekonomike të emigracionit – në masën 10,000 franga për punonjës.
“Me këtë taksë, do t’u takojë kompanive të peshojnë avantazhet dhe disavantazhet e punësimit të punëtorëve të huaj”, tha ai.
Edhe kjo do të vazhdojë të jetë në radarin e Parlamentit në vitin 2025.