Me rikthimin e tensioneve me Greqinë, presidenti turk Erdogan lëshon akuza të reja ndaj Athinës.
Duke folur në një konferencë për refugjatët në Stamboll, Erdogan akuzon autoritetet greke për grabitje, rrahje, persekutim dhe deri në vrasje të refugjatëve.
“Kohët e fundit, pothuajse 30,000 emigrantë, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën në Mesdhe. Vendndodhja e dhjetëra mijëra fëmijëve sirianë që ikën në Evropë, nuk dihet. Pothuajse çdo ditë jemi dëshmitarë të gjendjes së rëndë të refugjatëve të përndjekur, grabitur, rrahur dhe vrarë nga Forcat e Sigurisë Greke” u shpreh presidenti turk.
Athina iu përgjigj akuzave të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për keqtrajtim të refugjatëve dhe ripohoi se “Greqia përgjigjet me veprime që shpëtojnë jetë në det”. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë greke, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, pasi fundjavën e kaluar u shpëtuan 108 emigrantë, dhe 8 persona u zhdukën.
Turqia pret më shumë refugjatë se çdo vend tjetër në botë: Rreth 5 milionë, duke përfshirë të paktën 3.7 milionë sirianë. Në bazë të një marrëveshjeje të vitit 2016, BE-ja cakton fonde për të ndihmuar Turqinë me menaxhimin e emigrantëve në këmbim që forcat turke të ndalojnë migrantët që përpiqen të arrijnë në shtetet Evropiane.