Sot, në sallën e Këshillit të Komunës së Tetovës, u mbajt seanca e fundit për këtë vit, e cila u përqendrua kryesisht në miratimin e buxhetit për vitin 2024. Këshilli i Komunës, me 17 vota për, miratoi një buxhet ambicioz prej 31.086.000 eurosh, shënuar nga një rritje prej 4 milion eurosh në krahasim me vitin e kaluar.
Kryetari Bilall Kasami dhe Këshilltaret u shprehën se buxheti është një përgjigje e përshtatshme ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Tetovës. Kjo shumë e madhe e buxhetit synon të fuqizojë sektorë të ndryshëm të komunës.
Sektori i urbanizmit do të përfitojë nga një shumë prej 6 milion denarë për planet detale urbanistike, ndërsa inspektorati komunal dhe strehimorja për qent endacak do të kenë në dispozicion nga 4 milion denarë secili. Gjithashtu, një shumë prej 6 milion denarë do të destinohen për pagesë të shpronësimit të pronave private për zhvillimin e infrastrukturës rrugore.
Pjesë e buxhetit është edhe një projekt i rëndësishëm i kooperimit me Qendrën për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar (CMSR) dhe që ka të bëjë me rikonstruksionin e tubacionit të ujësjellësit në Tetovë. Ky projekt synon të rregullojë humbjet e ujit dhe të përmirësojë cilësinë e tij.
Buxheti gjithashtu ka paraparë fonde të mjaftueshme për aplikime në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, me qëllim të ndërtimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Tetovës. Në një nismë për të kursyer resurset natyrore, janë ndarë 10 milion denarë për vendosjen e murit mbajtës në lumin Shkumbin, duke ndjekur suksesin e projektit të ngjashëm në Banjën e Tetovës.
Në fushën e zhvillimit ekonomik, komuna ka ndarë 14.500.000 denarë për projektin e rrugës së butiqeve, duke bashkëpunuar me IPA Fondet. Poashtu edhe për sektorin e arsimit, kulturës, sportit dhe nxitjen e turizmit, buxheti është i pasuruar me fonde të mjaftueshme.
Përmbyllur me një premtim për vazhdimin e përpjekjeve, kryetari Bilall Kasami tha se qytetarët meritojnë një qytet të zhvilluar dhe se ky buxhet premtues është vetëm fillimi.
Në vitin e ardhshëm, ata shpresojnë të bëjnë më shumë për komunën e Tetovës, duke vazhduar punën për mirëqenie dhe përparim.