Bullgari: Dorëhiqet zyrtarisht ministrja e jashtme Gençovska

SHTATË DEPUTETË NGA PARTIA “KA NJË POPULL TË TILLË” LARGOHEN NGA GRUPI PARLAMENTAR

Deri në fund të ditës pritet të bëhet e ditur sa deputetë të partisë “Ka një popull të tillë” në Parlamentin bullgar do të largohen nga grupi i tyre parlamentar dhe do të veprojnë si të pavarur ose do të kalojnë te partitë tjera. Ndërkohë, Ministrja e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska edhe zyrtarisht ka dhënë dorëheqje, pasi paraprakisht këtë e bënë edhe tre ministra nga partia e shoumenit Sllavi Trifonov, i cili javën e kaluar vendosi të largohet nga kabineti qeveritar. Kryeministri Kiril Petkov të njëjtën ditë deklaroi se do të udhëheqë qeveri të pakicës, por çështja e zgjedhjeve të parakohshme në Bullgari vazhdon të jetë e hapur.

Shtatë nga 25 anëtarët e grupit parlamentar të “Ka një popull të tillë”, partia e shoumenit Sllavi Trifonov, e cila doli nga koalicioni qeveritar, do të largohen nga grupi i tyre dhe do të veprojnë si të pavarur. Këtë e konfirmon media bullgare “24 çasa”, duke shtuar se deputetët janë organizuar nga ana e Ministrit të sportit nga partia “Ka një popull të tillë”, Radostin Vasilev, i cili e ka kundërshtuar vendimin e liderit të partisë për largim nga qeveria.

“24 ÇASA”

“Në grup deputetë të pavarur fillimisht kanë qenë tetë persona, por gjatë bisedimeve të grupit rreth Radostin Vasilev, një deputete ka hequr dorë dhe ka parapëlqyer që për momentin të mbetet me Sllavi Trifonovin. Shifra finale e të larguarve duhet të bëhet e ditur rreth orës 19. Lideri i “Ka një popull të tillë” Trifonov sonte i ka thirrur deputetët.”

Nga partia e Trifonovit pasoi njoftimi në të cilin thuhet se për momentin nuk kanë informacione për ndarje të grupit parlamentar.

“Nuk e dimë nëse është kështu. Ditët dhe orët në vazhdim do të tregojnë. Të gjithë e pamë se Kryeministri iu drejtua grupit, ai publikisht ka demostruar përpjekje për të bërë pazarllëqe me deputetët.”

Sot zyrtarisht dorëheqjen e saj e ka dhënë Ministrja e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, e cila vetëm para dhjetë ditëve i udhëhiqte negociatat për tejkalimin e dallimeve me Maqedoninë e Veriut dhe heqjen eventuale të vetos bullgare e cila është bërë pengesë në rrugën evropiane të vendit. Pikërisht Maqedonia e Veriut është arsyeja për prishjen e qeverisë, sipas Trifonovit, i cili e ka auzuar Qeverinë për politikë të dyfishtë kundrejt Maqedonisë së Veriut.

“Vetë fakti që përpiqen të anashkalohet marrëveshja e koalicionit përmes krijimit të ministrisë alternative të punëve të jashtme, vetë ky fakt është prishje e marrëveshjes së koalicionit dhe tradhëti kombëtare.” – tha Sllavi Trifonov

Nga partia e Petkovit, “Vazhdojmë me ndryshimet” pohojnë se tashmë e kanë numrin e nevojshëm të deputetëve në Parlament që të vazhdojnë të jenë në pushtet, pa organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Trifonovi e akuzon Petkovin për qëllime për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut, që sipas tij do të ishte tradhëti kombëtare.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share