MASA SHTESË PËR TË PËRFORCUAR KUFIRIN ME TURQINË
Dy oficerë të policisë bullgare humbën jetën sot në mëngjes, pasi automjeti i tyre u përplas nga një autobus që po transportonte emigrantë. Oficerët u përpoqën ta ndalonin autobusin që po bartte emigrantë, i cili kishte hyrë ilegalisht në Bullgari, tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme bullgare.
Incidenti ndodhi në orën 5 të mëngjesit në qytetin Burgas pasi shoferi i autobusit refuzoi të ndalej në dy pika të njëpasnjëshme të policisë kufitare – njoftuan autoritetet bullgare.
Autobusi me targa turke po transportonte 47 emigrantë dhe kishte hyrë në një zonë të banuar kur oficerët e policisë me automjetin zyrtar u ndalën në rrugën përballë. Autobusi e goditi automjetin e policisë dhe më pas kaloi sipër tij para se të përplasej me një stacion autobusësh.
Të dy oficerët që ndodheshin në automjetin e policisë mbetën të vdekur në vendngjarje.
Është arrestuar një shtetas sirian me status humanitar, që ndërlidhet me transportin e migrantëve, kurse policia bullgare heton edhe një tjetër. Autoritetet bullgare të sigurisë kanë thënë se trafikantët I kanë shpallur luftë Bullgarisë dhe se vendi do të përgjigjet me të gjitha forcat kundër kësaj sfide duke paralajmëruar se do të dërgohen 300 ushtarë për të përforcuar sigurinë në kufirin me Turqinë.
Bullgaria ndodhet në një prej rrugëve kryesore që kalojnë emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afganistani për të arritur në Evropë. Vetëm një numër i vogël i tyre planifikojnë të qëndrojnë në këtë vend porse e shfrytëzojnë atë si një korridor transiti në rrugën e tyre drejt perëndimit./KlanMacedonia/