Shumica e fermerëve po planifikojnë që të shkurtojnë prodhimin e misrit me 60% këtë vit për të kursyer ujin
I vendosur rrëzë maleve të Pirenejve, Liqeni Montbel është i famshëm në Francën jugperëndimore për ujërat e tij dhe bimësinë e veçantë që ai ka.
Por me afrimin e Pranverës, ai është kthyer kryesisht në një djerrinë me baltë, teksa varkat qëndrojnë në brigjet e tij për shkak të një dimri jashtëzakonisht të thatë në 64 vitet e fundit. Franca, si pjesa më e madhe e Evropës, është në pushtetin e një thatësire dimërore që po shkakton shqetësime në rritje për sigurinë e ujit në të gjithë kontinentin.
Për muajin Shkurt, rajoni Ariege ku ndodhet liqeni Montbel, ka vuajtur nga një mungesë reshjesh prej 80%.
“Ne kemi një liqen të mrekullueshëm kur është plot. Është përrallore. Është një strehë paqeje, një vend pushimi dhe relaksi. Dhe kur e sheh kështu, është e trishtueshme. Duket më shumë si një shkretëtirë me baltë dhe kjo na thyen zemrat në një farë mënyre. Normalisht më parë këtu janë zhvilluar edhe gara në nivel kombëtar dhe rajonal që nisin në janar, këtë vit nuk u realizuan për shkak të ujit të pakët”, thotë një banor.
Liqeni Montbel është një liqen artificial dhe u krijua në vitin 1985 duke përmbytur atë që dikur ishte një zonë pyjore. U krijua fillimisht për të ujitur të korrat e rajonit, por me kalimin e kohës ka tërhequr mijëra turistë çdo vit.
Në rrjedhën e poshtme, fermerët janë të shqetësuar pasi Vera mund të rezervojë një tjetër thatësirë që mund të sjellë pasoja katastrofike.
“Liqeni Montbel, në fakt, është garancia e të ardhurave. Kjo duhet të jetë e qartë. Pa ujë, në rajonin tonë, fermat tona nuk janë të qëndrueshme. Nëse nesër, ne duhet të bëjmë pa ujë, shumë e shumë ferma tona do të zhduken”.
Tanimë shumica e fermerëve po planifikojnë që të shkurtojnë prodhimin e misrit me 60% këtë vit për të kursyer ujin. Të tjerë në rajon janë kthyer drejt kulturave, si luledielli dhe madje edhe mandarina.
Ndërsa efektet e ngrohjes globale do të intensifikohen në dekadat e ardhshme, stinët më të ngrohta dhe më të thata do të bëhen më të zakonshme, kanë bërë të ditur ekspertët.
Autoritetet po punojnë gjithashtu për një plan për të devijuar lumin Touyre aty pranë për të ndihmuar në mbushjen e liqenit, megjithëse projekti ka hasur në kundërshtimin e grupeve mjedisore.
Klan News