Broja: Kemi talentin për ta çuar Shqipërinë në finalet e Botërorit!

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i Chelseat, Armando Broja, ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze “World Soccer” ku ka folur për karrierën e tij, procesin e rikuperimit nga dëmtimi, vizionin e tij, por edhe për marrëdhëniet me trajnerin e ri të Shqipërisë, Sylvio Mendes Campos Junior.

Broja është i bindur se me talentin që ka Shqipëria mund të arrijë të luajë në finalet e turneve më madhore në planet siç janë Europiani dhe Botërori, teksa në nivel personal nuk i vendos limite vetes dhe synon të arrijë majat.

– Armando, si po shkon rikuperimi juaj pas dëmtimit në gju në fund të vitit të kaluar?

– Po rikuperohem shumë më shpejt nga sa pritej. Të jem në gjendje të kthehem në palestër dhe të punoj me ushtrime force ka qenë një shtysë e madhe për mua pasi isha i detyruar të qëndroja në shtrat dhe të kaloja më shumë kohë në fizioterapi gjatë javëve të para pas operacionit. Ishte periudha më e vështirë.

Isha në regjim shtrati për rreth gjashtë javë dhe nuk mund të bëja asgjë, kështu që jam i lumtur që e kam kaluar tashmë atë fazë. Vrapimi dhe ndryshimi i drejtimit do të vijnë gjatë muajve të ardhshëm, gjëra për të cilat po punoj aktualisht, por po tregohemi shumë të kujdesshëm që të mos nxitojmë shumë.

– Si e kaloni ditën në qendrën stërvitore të klubit, në Kobham, gjatë procesit të rehabilitimit, na e përshkruani pak?

– Po bëjmë shumë punë për riaktivizimin e muskujve dhe këmbëve. Muskujt e të dyja këmbëve janë dobësuar shumë për shkak të pasivitetit pas operacionit, kështu që ne po i rindërtojmë strukturat muskulore ngadalë. Jam duke bërë shumë not, stërvitje me biçikletë, ushtrime force dhe ngarkesë fizike, si dhe disa ushtrime ekuilibri në rërë – është e gjitha punë shumë e lodhshme dhe e vështirë, por ne po shohim përmirësime dhe kjo është një ndjesi e mrekullueshme. Plani është që të rikthehem në fillim të sezonit të ardhshëm, por gjërat po duken shumë pozitive dhe i kemi djegur afatet.

– Çelsi ka bërë shumë blerje të reja këtë sezon. Si janë përshtatur lojtarët e rinj?

– Sigurisht që ka shumë fytyra të reja në klub. Por të gjithë janë djem fantastikë dhe janë përshtatur shumë shpejt. Ka pasur ndryshime të mëdha në klub në të gjitha fushat dhe, natyrisht, do të duhet kohë për t’u vënë gjërat në vijë dhe për t’i vendosur të gjithë në të njëjtën rrugë e për të ecur përpara. Është e rëndësishme të shtosh cilësi në skuadër dhe të aktivizosh atë konkurrencë për çdo pozicion në fushë. Kjo është diçka e domosdoshme për të pasur sukses e për të qenë mes klubeve më të mira, duke pasur dy ose tre lojtarë të klasit botëror në çdo pozicion për t’i shtyrë të gjithë në maksimumin e potencialit të tyre, dhe unë mendoj se ne i kemi elementët. Jam i sigurt se do t’i shohim përmirësimet shumë më shpejt nga sa mendohet nëse qëndrojmë të gjithë së bashku.

– Ju firmosët një kontratë 6-vjeçare me klubin në fillim të këtij sezoni. A mendoni se jeni projektuar si një element kyç në të ardhmen e Chelseat?

– Patjetër. Kjo duket se është filozofia e pronarëve të rinj, planifikimi i të ardhmes dhe është një nder shumë i madh që më kanë besuar si një pjesë e rëndësishme e klubit. Çelsi më ka mbështetur shumë në karrierë dhe tani më takon mua t’ia shpërblej këtë besim. Sapo të kthehem nga dëmtimi, ky është qëllimi im më i madh afatshkurtër, për ta provuar këtë dhe do të më duhet të shfrytëzoj çdo mundësi që më del përpara.

– Ju keni pasur dy eksperienca të suksesshme si lojtar i huazuar te Viteshe dhe Sauthempton. Çfarë keni mësuar më shumë në këto klube?

– Eksperienca ime te Viteshe shënoi hapin e madh të kalimit nga futbolli i akademisë në futbollin e të mëdhenjve dhe ishte i qartë hendeku midis dy realiteteve. Më është dashur të përshtas mentalitetin tim dhe të hyja menjëherë në këtë realitet të ri. Ata ishin të gjithë profesionistë – hanin siç duhet, stërviteshin 100 % dhe e motivonin njëri-tjetrin në palestër gjatë gjithë kohës, dhe prisnin më shumë nga unë si lojtar krahasuar me futbollin e akademisë.

Sauthempton ishte eksperiencë e mrekullueshme për mua dhe shënoi një hap edhe më të madh nga Liga Holandeze në Premier Ligë. Në fushë gjithçka është më e shpejtë, më fizike dhe më sfiduese. Ishte e rëndësishme për mua të stërvitesha më shumë e të vrapoja– dhe ia dola me sukses – por mund ta vësh re shumë ndryshimin duke luajtur kundër disa prej skuadrave dhe lojtarëve më të mirë në botë çdo javë. Por unë gjithmonë e dija se doja të kthehesha te Çelsi më pas. E kam mbështetur klubin që kur isha i vogël dhe synimi im ka qenë gjithmonë të arrij suksesin me Çelsin.

– Cilët kanë qenë idhujt e tu në futboll?

– Kanë qenë gjithmonë dy për mua: Kristiano Ronaldo dhe R9 [Ronaldo]. Çdo fëmijë donte të bëhej si Kristiano Ronaldo kur unë isha i vogël. Ai është një lojtar kaq i mrekullueshëm dhe ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua e jam përpjekur ta imitoj teksa rritesha. Ndjehem sikur kam disa aftësi të ngjashme fizike me të dhe duke e vëzhguar vazhdimisht mendoj për përmirësimet që mund t’i bëj lojës time.

Por R9 ishte ndikimi më i madh. Nuk munda ta shoh dot kurrë në fushë duke luajtur një ndeshje, por babai im më tregonte gjithmonë video të tij duke luajtur dhe më tregonte gjithçka për të. Babai donte që unë të isha një sulmues i ngjashëm me Ronaldon – aftësitë e tij, golat, prekja e topit – ai ishte sulmuesi i kompletuar. Luante me këmbën e majtë, me këmbën e djathtë, kishte shpejtësi, forcë, finalizim dhe shumë i aftë në ndërtimin e lojës. Unë mund të kaloj vite me radhë duke parë videot e tij në YouTube teksa luante si një “bishë”.

– Ju jeni rritur në një lagje të Londrës që quhet Slough dhe keni prindër shqiptarë. Sa ndikim kanë pasur ata dhe trashëgimia shqiptare në jetën tuaj?

– Ishte e vështirë për prindërit kur erdhën në Angli, por ata gjithmonë kanë vendosur të bëjnë gjithçka munden për të na dhënë mua dhe dy motrave të mia mundësitë më të mira në jetë, gjë për të cilën u jam përjetësisht mirënjohës. Ata do të siguroheshin që unë të mos humbisja kurrë shkollën ose një seancë stërvitore dhe na shtynin të ishim njerëz sa më të mirë. Për shkak të tyre kam një dashuri dhe respekt të madh për Shqipërinë dhe njerëzit e saj.

Ishte një nder i madh për mua që të debutoja me Kombëtaren shqiptare në vitin 2020 dhe më dukej sikur po ua shpërbleja prindërve të mi për të gjitha sakrificat që ata kanë bërë në mënyrë që unë të kisha sukses në futboll. Ata mbetën pa fjalë kur më panë për herë të parë me Kombëtaren në fushë dhe ishte mahnitëse t’i shihje duke buzëqeshur në tribunë.

– Ish-mbrojtësi i Brazilit, Arsenalit dhe Manchester City-t, Sylvinho, së fundmi ka marrë detyrën e trajnerit të Shqipërisë. A keni pasur mundësi të flisni me të rreth projektit të tij?

– Po, kemi folur disa herë dhe ai erdhi në Angli për të më takuar. Ai është një person shumë i mirë dhe ka një vizion të qartë e të drejtpërdrejtë se ku dëshiron ta çojë ekipin. Është shumë inkurajuese. Ai ndan ambicien time për të shkuar në finalet e një Botërori dhe Europiani me Shqipërinë, por ne nuk kemi asnjë iluzion për faktin se ky objektiv do kohën e vet. Ashtu si edhe te Çelsi, duhet durim për t’i sjellë të gjithë në të njëjtën rrugë kur ka ndryshime në dhomat e zhveshjes, por nuk kam asnjë dyshim se Sylvinho do të ketë një ndikim të madh dhe pozitiv në ekip.

– Ka disa talente interesante që janë bërë pjesë e Kombëtares shqiptare, njerëz si ju, Kristjan Asllani, Marash Kumbulla dhe Nedim Bajrami. Si është të jesh një pjesë kyçe e këtij projekti?

– Është shumë emocionuese të jesh pjesë e një skuadre me disa lojtarë të rinj shumë të veçantë. Por ajo që është gjithashtu e rëndësishme është përvoja që kemi grup, që vepron si një përzierje e mirë. Ka të bëjë me vendosjen e të gjithëve në të njëjtën situatë dhe Sylvinho – së bashku me ndihmësin e tij Pablo Zabaleta – e kuptojnë këtë. Nuk kam asnjë dyshim që kemi plot talent aty dhe është një nder i vërtetë për mua të jem pjesë e këtij projekti. E pamë atë që bëri Maroku në Kupën e Botës dhe besojmë se nuk ka asnjë arsye pse ne si grup të mos e përsëritim diçka të ngjashme në të ardhmen. Ne kemi talentin për ta çuar Shqipërinë në Kupën e Botës për herë të parë në historinë e saj.

– Cilat janë disa nga synimet më të mëdha që doni të arrini në karrierën tuaj si futbollist?

– Kam pasur gjithmonë besim për të synuar sa më lart dhe të kem objektivat më të mëdhenj të mundshëm për të arritur. Nuk ka kuptim t’i vendosësh vetes objektiva të ulët që mund të arrihen lehtësisht.

Në aspektin ekipor, objektivi im kryesor është të ndihmoj Shqipërinë të arrijë në finalet e një Botërori dhe të ndihmoj klubin të fitojë trofeun e Champions League. Në nivel personal, gjithmonë kam ëndërruar të fitoj Topin e Artë. Të gjithë mendojnë se kjo do të ishte një arritje e çmendur, por nuk do ta përjashtoja kurrë si opsion nëse vazhdoj të qëndroj në nivele të larta dhe të punoj shumë. Sigurisht, duhet të zhvillohem dhe të përmirësohem edhe më shumë, por nuk kam dyshim se është në dorën time të arrij një objektiv të tillë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share