Bota e “Dragon Ball” bëhet reale! Arabia Saudite planifikon ndërtimin e parkut të lojërave

Arabia Saudite ka njoftuar ndërtimin e një parku argëtimi që pasqyron botën imagjinare të serialit japonez “Dragon Ball”.

Parku do të ketë një dragua të paktën 70 metra të lartë në pjesën qendrore dhe rreth 30 lojëra të ndryshme, është shprehur kompania pas këtij projekti. Ky do të jetë parku i parë në botë i këtij lloji që bazohet në serialin e famshëm.

Parku do të vendoset në më shumë se gjysmë milioni metra katrorë sipas Qiddiya Investment Company e cila është pronë e fondit të investimit të qeverisë së Arabisë Saudite. Planet për ndërtimin e tij janë pjesë e një “bashkëpunimi strategjik afatgjatë” mes QIC dhe Toei Animation që ka krijuar “Dragon Ball”.

Sipas faqes zyrtare të “Dragon Ball”, parku do të ketë një tren të shpejtë brenda Shenron, dragoit të dëshirave në serial.

Qiddiya është një projekt i madh argëtimi dhe turizmi që po ndërtohet pranë kryeqytetit Riyadh si pjesë e planeve për ta larguar vendin nga ekonomia e bazuar në energjinë fosile.

Disa admirues e kanë pëlqyer idenë e parkut, por të tjerë kanë vënë në pikëpyetje vendimin për ta ndërtuar në Arabinë Saudite. Ky vend është kritikuar shpesh për të drejtat e njeriut dhe mosnjohjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ+.

Njoftimi vjen vetëm pak javë pas ndarjes nga jeta të krijuesit të “Dragon Ball”, Akira Toriyama. Ai vdiq më 1 mars në moshën 68-vjeçare./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share