Borrell: Kurti kërkon njohjen “de facto”, Vuçiq asociacionin

E pamundur të sheshonim diferencat sot

Pas disa takimesh bilaterale dhe trilaterale me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albtin Kurti, shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell njoftoi se ishte e pamundur të  sheshoheshin diferencat midis palëve edhe në raundin e 14 shtatorit. Sipas Borrel, kryeministri Kurti insistoi të fillohej me aspektin politik të zbatimit të marrëveshjes, ndërkohë që presidenti Vucic kërkoi ngritjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe para se të angazhohet për detyrimet. Borrell ritheksoi, se ngritja e asociacionit të komunave me shumicë serbe është një detyrim i palëve dhe gjithnjë ka përbërë një element kyç të procesit tê normalizimit. Si rrjedhim i pozicionimit të kundërt të palëve,  Borrel u shpreh, se propozimi më i mirë  për zgjidhjen e ngërçit sot ishte, që të dyja proceset mund të ecin paralelisht. Borrel është shprehur, se ky propozim është  i mbështetur edhe nga Komuniteti Ndërkombëtar dhe konsiderohet si më realisti për vijimin e zbatimit të marrëveshjes.

“ Të dyja palët kanë nevojë për garanci që aksionet e tyre do të shpërblehen me aksione nga pala tjetër” është shprehur Borrel. Por sipas tij, kryeministri Kurti  nuk ishte gati të ecte përpara me ngritjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe insistoi për formalizimin e njohjes “de facto” të Ksoovës si hap të parë, ndërkohë që Serbia pranoi propozimin europian të zbatimit të  marrëveshjes.

Borrell njoftoi gjithashtu se nuk pati progress për uljen e përshkallëzimit të situatës në Veri të Kosovës. Ai tha se ka disa masa të ndërrmarra nga qeveria e Kosovês por ato nuk i përgjigjen kërkesave për de-përshkallëzim të plotë në Veri të Kosovës. Shefi i diplomacisë europiane ka ripërsëritur thirrjen për zhvillimin e menjëherëshëm të zgjedhjeve të reja të parakohshme në Veri të Kosovës në përpuhtje me kërkesat e BE-së dhe Komunitetit Ndërkombëtar. Ai ka qartësuar gjithahshtu, se BE-ja sheh si rrugë për organizimin e këtyre zgjedhjeve ose dorëheqjen e kryetarëve tê bashkive në katër komunat me shumicë serbe  ose mbledhjen e firmave nga serbët e Kosovës për kryetarët e bashkive.

“ Presim që serbët e Kosovës të tregojnë konstruktivitet  dhe të angazhohen pa kushte në procesin zgjedhor. Ata duhet të marrin pjesë. Mirëprita sigurinë që mora nga presidenti Vuçiç në këtë drejtim. Nëse nuk ka progres në zgjedhje, rreziku i përshkallëzimit do tê vazhdojë të rëndojë  mbi zbatimin e marrëveshjes dhe më gjerë procesin e normalizimit” është shprehur Borrell. Duke rikujtuar, se marrëveshja drejt normalizimit e muajit mars është shumë e mirë, Borrel është shprehur se nuk ka më kohë dhe ata që vuajnë pasojat  nga mungesa e respektimit të fjalës së dhënë nga liderët, janë qytetarët.

Erisa Zykaj – TvKlan, Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share