Gjatë qëndrimit në Tiranë, Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian, Josep Borrell pati mundësi të jepte një intervistë për Tv Klan.
Borrell garanton se brenda pak javësh përfundon procesi screening dhe me siguri thotë se brenda këtij viti Shqipëria do të negociojë për kapitujt e parë me BE-në, kapituj që kanë lidhje me drejtësinë dhe sigurinë.
Për zhvillimet politike në vend nuk pranon të flasë, por sa i takon zgjedhjeve ai mendon se padyshim ato duhet të plotësojnë standardet për t’u certifikuar.
Përfaqësuesi i Lartë i KE mohon se mbështetja financiare për Serbinë është më e madhe se ajo për vendin tonë dhe këtë e mbështet në shifra.
Elja Zotka: Shumë faleminderit që pranuat të bëjmë këtë intervistë së bashku dhe pse koha është shumë e shkurtër. Ju dhatë disa përgjigje në konferencën për shtyp, por besoj se ka ende çështje për të cilat mund të jepni një përgjigje për publikun shqiptar. Pyetja e parë lidhet me procesin e integrimit. Ju nuk mund të jepni sigurisht një datë se kur Shqipëria mund të anëtarësohet përfundimisht, ama, ju mund të jepni një përgjigje besoj se kur mund t’i hapë kapitujt e parë Shqipëria? Si e shikoni ecurinë e procesit screening?
Josep Borrell: Është e qartë se vendimi për hapjen e negociatave që u mor Korrikun e kaluar i ka dhënë një vrull dhe shtysë të re procesit të anëtarësimit. Tani është procesi i shqyrtimit, i cili përpiqet të identifikojë se cilat janë fushat specifike politike nga ku duhet të nisë puna. Është çështje ditësh apo javësh, shumë shpejt, kur ky proces shqyrtimi do të përfundojë dhe shtetet anëtare do të vendosin se nga cilët kapituj, ne i quajmë kapituj, apo fusha politike do të nisë negocimi.
Elja Zotka: Brenda këtij viti?
Josep Borrell: Me siguri.
Elja Zotka: Sigurisht që ju e thatë qartë në konferencën për shtyp që nuk doni që të komentoni zhvillimet politike në vendin tonë, por unë dua t’ju pyes, a është i shqetësuar Brukseli se pikërisht kjo situatë që po kalon partia më e madhe në opozitë, e bën demokracinë në Shqipëri më të brishtë?
Josep Borrell: Shikoni, ju e kuptoni që ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur u duhet të komentojnë për dimensione apo procese të brendshme politike, veçanërisht sa i takon dimensionit ligjor. Shpresoj, dhe jam i sigurt, se Shqipëria ka kapacitetet dhe burimet për t’i zhvilluar zgjedhjet e ardhshme në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Elja Zotka: Bashkimi Europian është një nga financuesit më të mëdhenj të Reformës në Drejtësi. Edhe në konferencën për shtyp u përmend, rezultatet që ka dhënë, eksponentë të lartë të lidhur me pushtetin tashmë janë para drejtësisë, por unë doja të dija, në fakt me një sërë akuzash që ka opozita në Shqipëri, e akuzon SPAK-un, që është një strukturë e posaçme për hetimin e zyrtarëve të lartë, që është i diktuar nga kryeministri Rama. Po ashtu një akuzë e tillë vjen edhe për gjyqësorin, po nga opozita se është i ndikuar dhe këtë e ka treguar edhe në vendimmarrjen për çështjen e brendshme për partinë më të madhe opozitare në vend, për PD?
Josep Borrell: Ajo që mund t’ju them është se në fushën e drejtësisë Shqipëria ka bërë një përparim të shkëlqyer. Gjithçka që lidhet me Reformën në Drejtësi po përparon me shpejtësi dhe mirë. Ky është një nga kapitujt e reformave ku Shqipëria ka arritur rezultate shumë të mira. Nuk di për raste specifike, por përgjithësisht Reforma në Drejtësi, pavarësia e gjyqësorit është njëra nga fushat ku Shqipëria po ecën shumë mirë.
Elja Zotka: Janë edhe dy çështje të tjera që pak a shumë u prekën në deklaratat tuaja me kryeministrin. Kryeministri ju dha garanci se nuk do të avancohet me projektin e pasaportave të arta, ndërkohë që ju falenderoi për rekomandimet që Zyra e BE-së në Tiranë ka dhënë për amnistinë fiskale dhe penale. Unë doja të dija, nëse qeveria shqiptare, deri tani zoti Rama deklaroi se ka reflektuar mbi këto rekomandime dhe janë marrë parasysh, nëse do të ketë një draft, i cili nuk do të marrë miratimin e BE-së dhe qeveria do të avancojë me draftin e saj të amnistisë fiskale. Kush do të jetë qëndrimi i Bashkimit Europian?
Josep Borrell: Dëgjuam nga kryeministri se e ka braktisur përfundimisht çështjen e pasaportave të arta, diçka që ne si Bashkim Evropian e këshilluam të mos vazhdonte ta bënte. Disa shtete anëtare e kanë bërë, por ne e kemi konsideruar këtë si një praktikë që nuk duhet vazhduar dhe jemi të lumtur të mësojmë se Shqipëria nuk do ta bëjë një gjë të tillë që është bërë në shtete anëtare më parë. Ndërsa në lidhje me amnistinë fiskale dhe procedurën fiskale, unë kam qenë Sekretar Shteti për taksat në Spanjë dhe e njoh, e di që është diçka që shfaqet herë pas here dhe ne mendojmë se kjo praktikë duhet trajtuar me shumë kujdes. Kemi biseduar me autoritetet shqiptare me qëllim për të shqyrtuar pse dhe si mund të zbatohet kjo gjë. Shpresojmë që çfarëdo vendimi që të merret do të jetë në përputhje me praktikat tona dhe veçanërisht në përputhje me rregullat ndërkombëtare që kontrollojnë këto lloj procedurash. Është shumë sensitive dhe shpresojmë që gjithçka të bëhet në përputhje të madhe me mënyrën se si e kuptojmë ne këtë.
Elja Zotka: Pyetja e fundit. Ka një perceptim të përgjithshëm të publikut shqiptar që Brukseli samitet i bën në Tiranë, siç bëri samitin e fundit në Dhjetor, por financat i çon në Beograd, i çon në Serbi. A ka një diferencë të mbështetjes financiare të BE-së në raport mes Shqipërisë dhe Serbisë? Janë më të prirur që të mbështesin më shumë projekte në Beograd sesa në Tiranë…
Josep Borrell: Shikoni, nëse i njoh mirë shifrat, po i përgjigjem kësaj pyetje përmendësh. Në vitin 2007 shuma e mbështetjes financiare për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian ka qenë rreth 1.5 miliardë. Pra, ne jemi deri tani mbështetësit më të mëdhenj të Shqipërisë. Dhe në këto kohëra të vështira kur pasojat e tronditjes nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës po i prekin të gjithë në mbarë botën, veçanërisht Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në fushën e energjisë, ne po i ofrojmë një mbështetje të madhe Shqipërisë. Pikërisht sot njoftuam se janë premtuar 19 milionë Euro dhe më shumë do të pasojnë. Prandaj mendoj se Bashkimi Evropian duhet njohur si mbështetësi më i fuqishëm financiar i Shqipërisë që prej shumë vitesh.
Tv Klan