Efektivë të Policisë së Shtetit janë rreshtuar te Kryesia e Kuvendit, aty ku Partia Demokratike ka vendosur të zhvillojë protestën sot. Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha ka shpërndarë pamjet në Facebook-un e tij ku shkruan: Tmerrohet Rama dhe narko-qeveritarët e tij! Betejë pa kthim! Rroftë Opozita!
Kujtojmë se sot mblidhet Këshilli i Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK ndaj Kuvendit për heqjen e imunitetit si deputet ndaj Berishës. Nuk dihet ende cili është vendimi që do merret dhe a do i hapet rruga Prokurorisë së Posaçme për të vijuar me ashpërsimin e masës ndaj kryedemokratit, por ky i fundit për herë të 4-ërt tashmë nuk është paraqitur në ambientet e SPAK.
Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, Berisha duhet të paraqitet të hënën e parë edhe të 3 të çdo muaj në SPAK, para OPGJ. Ai akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Ndaj Berishës është caktuar masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”, por këtë javë ai rrezikon dhe “arrestin shtëpiak”.
Pritet që në orën 11:00 Berisha të dalë në deklaratë për mediat./tvklan.al