Studentët ngritën tenda dhe bllokuan rrugët pranë ndërtesave të ndryshme qeveritare në kryeqytetin serb. Akuzat për manipulim përfshijnë ndërhyrje të paligjshme në regjistrat e votuesve, duke shënuar votimin e njerëzve që në fakt kanë vdekur si dhe për sjelljen e votuesve nga Kosova në Beograd. Këto akuza janë mohuar nga autoritetet vendase.
Nëpërmjet protestës ata kanë kërkuar nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.
“Shpresojmë që t’i dërgojmë një mesazh qeverisë se është e nevojshme që ata të dëgjojnë të rinjtë,” tha studentja Ela Zekoviç, e ulur në trotuar. Studenti Milan Bjelanoviӏ tha se mesazhi i dërguar përmes këtij veprimi është për të treguar qëllimet e tyre jo të dhunshme dhe synon të tërheqë vëmendjen për “çfarë ndodhi në të vërtetë ditën e zgjedhjeve”.
Udhëheqësi i opozitës Dragan Djilas u tha gazetarëve se një protestë e madhe ishte planifikuar për të shtunën me 30 dhjetor. Ai akuzoi qeverinë se planifikon qe të përdorë dhunën duke sjellë në kryeqytet përkrahës të saj dhe huliganët e futbollit.
Serbia kundër dhunës ka organizuar protesta të përditshme për rezultatet e zgjedhjeve para komisionit zgjedhor. Mbrëmjen e së dielës (24 dhjetor) protesta u bë e dhunshme dhe 38 persona u ndaluan nga policia.
Studentët shpresojnë që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për të shtunën edhe përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë.
Dyshime për parregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiç, fushatë negative dhe përhapje të frikës.
Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje gjithashtu autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Klan News