Blinken: SHBA, përpjekje intensive për parandalimin e përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme

Ekipet libaneze të shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur pasi dy sulme izraelite goditën qendrën e Bejrutit të enjten, duke vrarë të paktën 22 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Goditja ajrore ishte më vdekjeprurësja në Bejrutin qendror në më shumë se një vit luftë. Gjendja në Lindjen e Mesme ishte në qendër të një takimi të vendeve aziatike në Laos, ku Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu shqetësimin për zgjerimin e konfliktit.

Sekretari Blinken tha të premten se ekzistojnë shqetësime të thella në fronte të ndryshme në Lindjen e Mesme.

“Ne vazhdojmë të jemi të angazhuar intensivisht për të parandaluar një konflikt më të gjerë në rajon, për të kthyer të gjithë pengjet në shtëpi, për të siguruar ndihmë për banorët e Gazës që kanë aq shumë nevojë për të dhe për t’i dhënë fund konfliktit, për të arritur një zgjidhje diplomatike në Liban, për të mbështetur të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër Iranit dhe grupeve terroriste që ai mbështet, për të gjetur një rrugë për të ndalur ciklin e dhunës dhe ndërmarrë hapa për një Lindje të Mesme më të integruar dhe më të begatë.”

Blinken foli nga Laosi, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Kryediplomati amerikan theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve mes luftimeve në Liban dhe Gazë dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara drejtpërdrejt me Izraelin në lidhje me plotësimin e nevojave humanitare të banorëve të Gazës.

Ndërsa Izraeli vazhdon të godasë Hezbollahun në Liban, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin libanezët që të marrin në dorë kontrollin e vendit të tyre.

“Është e qartë se populli i Libanit është shumë i interesuar që shteti i tij të afirmojë veten dhe të marrë përgjegjësinë për vendin dhe të ardhmen e tij. Ka dy vjet që vendi është pa president. Dhe ka rëndësi për popullin libanez që të ketë një kryetar shteti. Por këtë e vendosin libanezët dhe askush tjetër”, tha zoti Blinken.

Komentet e Sekretarit Blinken vijnë ndërsa Izraeli vazhdon operacionin në Liban. Forcat izraelite qëlluan të premten ndaj një kulle vrojtimi të përdorur nga paqeruajtësit e OKB-së në jug të vendit, duke plagosur dy vetë, tha një burim i OKB-së, dita e tretë me radhë që paqeruajtësit raportojnë për zjarr izraelit ndaj pozicioneve të tyre, ndërsa Izraeli vë në shënjestër Hezbollahun.

Duke ripërtërirë thirrjen e tij për një armëpushim, kryeministri i përkohshëm i vendit Najib Mikati tha se një sulm në qendër të Bejrutit të enjten vonë shkaktoi vdekjen e 22 civilëve dhe plagosjen e 139 të tjerëve.

Objektivi ishte një zyrtar i lartë i Hezbollahut – Wafiq Safa – i cili sipas tre burimeve të sigurisë, mbijetoi.

Izraeli ka paralajmëruar Libanin se nëse nuk merr masa kundër Hezbollahut, pasojat shkatërruese do të jenë të ngjashme si ato të Gazës, duke shtuar frikën për zgjerimin e mëtejshëm të luftës.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani iu bashkua sulmeve të Hamasit ndaj Izraeli vitin e kaluar dhe vazhdimisht ka goditur me raketa drejt territorit izraelit./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share