Blinken: Putin nuk është i interesuar për diplomaci

Sekretari amerikan shprehet se Putin po e kthen zemërimin mbi civilet ukrainas duke bombarduar infrastrukturën energjetike

Uashingtoni nuk sheh shenja se Moska është e interesuar për bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë, ka bëri të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Ka gjithmonë vlerë në diplomaci nëse palët në fjalë dhe në këtë rast Rusia, janë realisht të interesuara për diplomaci kuptimplote. Dhe ajo që kemi parë, të paktën kohët e fundit, është pikërisht e kundërta, edhe kur Presidenti Zelensky nga Ukraina erdhi në vendet e G-20, dhe bëri një propozim se si të ecim përpara drejt paqes, çfarë bëri Vladimir Putin? Ai dyfishoi dhe trefishoi gjithçka që bënte, duke mobilizuar më shumë forca, duke aneksuar territorin në Ukrainë. Putin tanimë po djeg më shumë infrastrukturën civile, po fik dritat po heq energjinë elektrike. Kjo është realisht ajo që po ndodh tani”, ka thënë Blinken.

Blinken gjithashtu u shpreh se administrata amerikane po bën çdo gjë për të shkëmbyer të burgosurit kryesisht Brittney Griner dhe Paul Ëhelan që të kthehen sa më parë në vendin e tyre.

Në javët e fundit, fokusi ushtarak i Rusisë ka qenë në goditjen e infrastrukturës ukrainase në mbarë vendin. Rusia ka intensifikuar ofensivën në qytetin Bakmut të rajonit Donetsk dhe ka bombarduar qytetin Kherson, të cilin forcat ukrainase e çliruan muajin e kaluar.

Më 1 dhjetor, presidenti Joe Biden tregoi se do të ishte i gatshëm të bisedonte me Putinin nëse udhëheqësi rus do të dëshironte seriozisht t’i jepte fund pushtimit. Inteligjenca amerikane së fundmi ka zbuluar se luftimet në Ukrainë po zhvillohen me një ritëm të reduktuar dhe sugjeroi se forcat ukrainase mund të kenë perspektiva më të ndritshme në muajt e ardhshëm.

Kjo ishte deklarata e parë e këtij lloji e presidentit amerikan që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share