Ka ende shpresë për arritj a marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës në Gaza, thotë sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken. Sipas informacioneve të marra nga Veronica Balderas Iglesias, korrespodente e Zërit të Amerikës, Blinken ka shtuar se do të ndihmojnë edhe në rindërtimin e Gazës dhe vendosjen e sigurisë atje.
Nga ana tjetër kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka njoftuar se forcat izraelite ka eleminuar pothuajse çdo aftë ushtarake të Hamasit.
“Po i afrohemi fundit të fazës së eliminimit të ushtrisë terroriste të Hamasit dhe do të vazhdojmë të godasim mbetjet e saj”, tha Netanyahu.
Ndërkohë Blinken i bëri thirrje Hamasit që të pranojë propozimin për paqe me disa faza, gjatë një takimi në Institutin Brookings.
“Mendoj se propozimi i presidentit Biden është i arritshëm. Do të ishte mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë, për të ndaluar dhunën dhe rritur masivisht ndihmën, për t’i kthyer të gjithë në shtëpi, përfshirë pengjet amerikane. Duhet të ketë plane të qarta, koherente dhe të arritshme për qeverisjen e Gazës, për sigurinë dhe natyrisht, për të ndihmuar njerëzit që të rindërtojnë jetët e tyre të shkatërruara”, tha Blinken.
Një nga palestinezët, jeta e të cilit ka ndryshuar rrënjësisht dhe kërkon llogaridhënie, është Dr. Mohammed Abu Selmia, drejtor i spitalit Al Shifa. Ai u lirua të hënën nga një burg izraelit ku mbahej që nga nëntori.
“Na kanë torturuar keq, kam një gisht të thyer. Më goditën vazhdimisht në kokë, duke shkaktuar gjakderdhje disa herë. Torturat janë pothuajse të përditshme në burgjet izraelite”, tha Dr. Mohammed Abu Selmia, drejtor i spitalit Al Shifa.
Zyrtarët e burgut izraelit i thanë gazetës “Washington Post” se nuk ishin në dijeni të pretendimeve për tortura, duke shtuar se të burgosurit kanë të drejtë të paraqesin ankesa që do të shqyrtohen plotësisht.
Trupat izraelite bastisën vitin e kaluar spitalin Al Shifa, nën pretendimet se militantët e Hamasit po e përdornin atë si qendër komandimi. Zyrtarët e spitalit i mohuan akuzat.