Me kërkesë të këshilltarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, siç thonë nga qeveria, kryeministri Kovaçevski ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me të. Në bisedë, siç thuhet, kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, dhe ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Aggeler, përcjell Klan Macedonia.
“Chollet falënderoi lidershipin e demonstruar të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrin Kovaçevski si mikpritës i takimit të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili, nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, u mbajt më 18 mars në Ohër. Organizimi i këtij takimi, siç theksoi Chollet në bisedën telefonike, është njohje e besueshmërisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut si partnere e BE-së dhe SHBA-së, si dhe shembull i zgjidhjes së suksesshme të çështjeve të hapura”, thuhet në njoftim./KlanMacedonia