Mbi 4 mijë persona kanë humbur jetën, ekspertët: Pasiguria ushqimore mund të thellojë krizën
Bilanci tragjik nga tërmetet që goditën Afganistanin perëndimor. Mbi 4 mijë persona kanë humbur jetën ndërsa mbi 2000 shtëpi janë shkatërruar në rreth 20 fshatra. Më shumë se 1,000 ekipe shpëtimi nga institucione të ndryshme po kryejnë përpjekje për ndihmë në zonat e prekura. Ndihma e vonuar nga rrugët e bllokuara dhe linjat e komunikimit që nuk funksionojnë, po vështirësojnë situatën. Spitalet e pa pajisura po ashtu janë të mbingarkuar për të akomoduar të plagosurit. Ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet gjatë orëve në vijim për shkak të numrit të lartë të zhdukurve.
“Në fshat çdo shtëpi ka disa të vdekur, të gjitha shtëpitë janë të shkatërruara. Unë humba katër anëtarë të familjes sime, situata po vështirësohet edhe për shkak të motit të ftohtë”.
Disa prej banorëve bëjnë thirrje për ndihmë urgjente pasi situata po përkeqësohet.
“Kemi nevojë për mbështetje urgjente, ju mund të shihni situatën këtu, shumë njerëz kanë vdekur, dhe në disa vende shumë familje tanimë nuk ekzistojnë më. Ne jemi shumë të shqetësuar dhe kemi nevojë për ndihmë”.
Pasgoditjet vijojnë të tronditin zonat e prekura, duke i detyruar njerëzit tashmë të frikësuar të largohen nga shtëpitë e tyre. Zonat e prekura tashmë po përballen me pasiguri ushqimore e cila mund të shkaktoi një “krizë mbi një krizë tjetër”.
Ekspertët kanë paralajmëruar se kriza e fundit vjen në një kohë kur 15 milionë njerëz – një e treta e popullsisë – tashmë nuk e dinë sesi do të jetë e ardhmja e tyre. Programi Botëror Ushqimor ka bërë të ditur se vendi ka nevojë për më shumë se 400 milion dollarë fonde për të ofruar ushqim në vende të largëta dhe për të ndihmuar miliona njerëz më të rrezikuar, për t’i mbijetuar dimrit.
Klan News