KOVAÇEVSKI: ULJA E ÇMIMEVE DO TË NDIKOJË TEK QYTETARËT
Kryeministri I Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, I shoqëruar nga Ministri I Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe Drejtori i Inspektoratit të Tregut, kanë zbarkuar në terren për të parë situatën me çmimet e “ngrira” të produkteve ushqimore. Nga 16 Marsi nëpër markete, me çmime më të lira shiten pastat dhe bulmeti, raporton KlanM,
Një bukë, makarona dhe djathi, Kryeministrit Dimitar Kovaçevskit i kushtuan 329 denarë apo 5.5 euro. Kovaçevski pasi bleu vet produkte ushqimore me çmimet e reja siguroi se ulja e çmimeve respektohet nga prodhuesit dhe çmimet e “ngrira” do të ndikojnë në xhepin e qytetarëve.
“Personalisht desha të sigurohem se janë duke u respektuar dhe zbatuar vendimet, sa kanë vesh për këtë prodhuesit, furnizuesit dhe tregtarët. Nuk do të lejojmë përfitime personale në kurriz të qytetarëve. Pres kompanitë të kenë mirëkuptim për të mirën e përgjithshme. Qeveria vazhdon ta mbrojë standardin dhe interesin e qytetarëve. Marrim vendime të cilat, jam i bindur thellë, se do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve” – tha Kovaçevski.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, sic percjell KlanM, njoftoi se në fund të javës së ardhshme, pasi të përfundojnë analizat, do të ketë “ngrirje” të çmimeve edhe për sheqerin, orizin dhe vezët. Ai shtoi se është i bindur se do të ketë kompani që do të ulin edhe më tej çmimet, pavarësisht masave.
“Nëse i ulin vetë, ne kemi hapësirë për të rritur konkurrencën. Deri në fund të javës së ardhshme do të përgatisim informacion për kryeministrin me një analizë të detajuar për çdo produkt dhe sipas këtyre analizave do të hartohen masat e reja që do të pasojnë në muajin prill” – deklaroi Kreshnik Bekteshi.
Pavarsisht ngrirjes së çmimeve, për kreun e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, kjo qeveri është e paaftë në menaxhimin me krizat. Sipas Mickoskit, Maqedonia ka inflacionin më të lartë në Evropë.
”Nuk pres asgjë më shumë se një përkeqësim i situatës dhe një nga arsyet pse ne si VMRO-DPMNE kërkojmë zgjedhje të parakohshme është pikërisht kjo, që këta njerëz pa ide të largohen dhe të vijnë njerëz që dinë të përballen me sfidat. Zgjidhjet e detyruara ad-hoc nuk janë zgjidhje, vetëm do t’i kujtoj publikut maqedonas se Maqedonia si shtet ka inflacion dy herë më të lartë se inflacioni në Eurozonë” – tha Mickoski.
Ndërkaq, Inspektorati Shtetëror i Tregut, sic njofton KlanM, paralajmëroi se prej sot inspektorët do të jenë në terren dhe do të kryejnë kontrolle nëse tregtarët kanë vepruar sipas vendimit qeveritar apo jo. Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar dy pako anti-krizë që kapin shumën e 760 milionë eurove. /KlanMacedonia/