Dollari amerikan pëson një rritje të konsiderueshme
Çmimi i naftës bruto në bursat ndërkombëtare ka shënuar njërënie të ndjeshme me rreth 6% , duke arritur kështu nivelin e saj më të ulët në 4 javët e fundit. Në bursën e Teksasit një fuçi nafte e papërpunuar tregëtohet në kuotën e rreth 110 dollarëve për fuçi duke shënuar një rënie me rreth 6% . Pothuajse e njëjta gjë ka ndodhur edhe në bursën Londrës ku çmimi i një fuçie nafte të premten ra nga 119 dollarë në 113 dollarë.
Ekspertët thonë se ulja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare vjen si pasojë e rritjes së çmimit të dollarit kundrejt monedhave të tjera në nivelin më të lartë që prej vitit 2002. Një element tjetër i rëndësishëm është edhe shqetësimi se rritja e normave të interesave nga bankat amerikane mund të ngadalësojnë ekonominë globale dhe të ulë kërkesën për energji.
Pasi vendet e OPEC-ut pranuan të rrisnin prodhimin e tyre, tani më ka edhe një tjetër dritë jeshile në Europë mbi shtimin e sasisë së naftës.
SHBA hoqën sanksionet e tyre ndaj Venezuelës, duke i dhënë mundësinë vendit të eksportojë sërisht naftë në Europë pas më shumë se dy vitesh me synim zëvëndësimin e naftës ruse. Dërgesa e parë do të përmbajë 650 mijë fuçi naftë ndërsa më pas pritet që në treg të hyjnë 400 mijë fuçi naftë në ditë.
Tv Klan