Ora ishte 1 e 45 e ditës, kur stafi i lartë i presidentit Xho Bajden u njoftua, të dielën, se ai po hiqte dorë nga gara për një mandat të dytë si kryetar i Amerikës.
Vetëm 1 minutë më pas, në 1 e 46, ky lajm u bë publik.
Zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë thanë se u befasuan kur mësuan çfarë ndodhi. Sipas tyre, Biden nuk kishte dhënë asnjë shenjë se do ta linte garën. Ai ishte “i tëri në garë, me trup e me shpirt”.
Për më tepër, fushata e tij po planifikonte agjendën për tubime ku do të mblidheshin fonde e po ashtu po e bënte gati edhe itinerarin e takimeve për javën e re.
Por, ani se Biden po insistonte në mostërheqje, ai, qetazi, po reflektonte edhe për katastrofën e javëve të kaluara, katër vitet e presidencës së tij dhe 5 dekadat e karrierës në politikë.
Në fund, ishte vendimi i vetë presidentit dhe ai e mori atë nga shtëpia e tij e pushimeve, në Rehoboth Beach, në Delaware, ku po qëndronte për të pushuar nga sëmundja e Covid-19.
Në fakt, Biden e bisedoi këtë punë me gruan e tij, Jill dhe një rreth të ngushtë ndihmësish, të cilët ishin me të për dekada me radhë.
Të shtunën vendosi të mos kandidoj më. Menjëherë nisi ta shkruajë letrën të cilën ia adresoi kombit.
“Ky është njëri nga vendimet më të vështira që ai i ka marr, ndonjëherë”, tha senatori Chris Coons, demokrat nga Delaware, i cili bisedoi më Biden, të dielën. “E di se ai donte të luftonte dhe të vazhdonte të tregojë se mund ta mposht Donald Trumpin sërish, por, derisa po dëgjonte më shumë zëra, mendoj se po sfidohej më atë se çfarë do të ishte gjëja më e mirë për ta bërë për vendin”.
Tërheqja ishte bërë pothuaj e domosdoshme, pas debatit turpërues të 27 qershorit, që e humbi nga Trump. Por, shenja se mbështetja e tij në publik nuk ishte e madhe, kishte edhe më parë.
Në një anketë të bërë nga Associated Press, në gusht 2023, ishin 77 për qind e amerikanëve të rritur që thanë se Biden është shumë i vjetër për të qenë efektiv si president edhe për katër vjet tjera. Dhe nuk ishin vetëm 89 për qind e republikanëve që e deklaruan një gjë të tillë. Kështu mendonin edhe 69 për qind të demokratëve.